Pijet alkoolike Shqipëri: Rritje turistike, rënie prodhimi vendas

“`html

Kërkesë e lartë nga turistët për pijet alkoolike vendase – konjak, verë dhe raki

Turistët nuk kërkojnë më vetëm detin, diellin apo guidat kulturore. Në përvojën e tyre në Shqipëri, gjithnjë e më shpesh po përfshihen edhe shijet lokale, duke filluar nga gota e rakisë tradicionale, te konjaku vendas apo verërat e bardha, të cilat po kthehen në pjesë të identitetit gastronomik të destinacionit.

Ndërkohë që turizmi riformaton konsumin dhe prodhimin vendas, industria e pijeve alkoolike po përfiton drejtpërdrejt nga ky ndryshim, duke u kthyer në një nga sektorët që po ndjen rritjen e fluksit të vizitorëve të huaj.

Të dhënat tregojnë një rimëkëmbje të prodhimit gjatë vitit 2025, e nxitur kryesisht nga kërkesa në rritje për pijet autoktone shqiptare. Në vitin 2024, kompanitë vendase prodhuan 268,3 mijë litra alkool, sipas të dhënave të Doganave. Krahasuar me periudhën paraardhëse, prodhimi i pijeve alkoolike ra me 28%. Gjatë 2025, sasia e prodhuar e pijeve alkoolike u rrit ndjeshëm. Për muajt janar–nëntor 2025 u prodhua një sasi prej 315,8 mijë litrash pije alkoolike, duke shënuar një rritje prej 27% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Megjithatë, në raport me periudhën para pandemisë së Covid-19, prodhimi është pakësuar me 48,4%.

Prodhuesit vendas pohojnë se tendenca rritëse e prodhimit gjatë 2025 është ndikuar nga rritja e kërkesës së turistëve, veçanërisht për pijet autoktone vendase si konjaku, rakia apo vera e bardhë.

Denis Zhilla, drejtor i përgjithshëm i kantinës së pijeve alkoolike “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, thekson se rreth 50% e konsumit total të pijeve alkoolike për 2025 u mbështet nga turistët. Sipas tij, pijet më të preferuara janë konjaku dhe rakia – prodhime tradicionale vendase, ndërsa vera, kryesisht e bardhë, pëlqehet më shumë nga moshat e reja. Zoti Zhilla shton se, të ndikuar nga kërkesa në rritje e turistëve për pije alkoolike më të forta, kantina parashikon të zgjerojë gamën e prodhimit me uiski, xhin apo vodka këtë vit.

Turizmi rrit importet për uiskin, xhinin, tekilën

Për vitin 2024, importet e pijeve alkoolike si uiski, xhin, vodka, uzo, tekila dhe konjak u rritën me rreth 3% krahasuar me vitin paraardhës. Që prej vitit 2019, importi i pijeve alkoolike arriti nivelin më të lartë në vitin 2024. Rritja e importeve vijoi edhe gjatë 2025-s, ku për periudhën janar-nëntor, ato u rritën me 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Në raport me periudhën para pandemisë së Covid-19, importet janë rritur rreth 87%.

Përfaqësuesit e kompanive importuese pohojnë se zgjerimi i kërkesës ndikohet nga turizmi, pasi pijet alkoolike konsumohen më tepër në bare dhe restorante. Ata theksojnë se pijet alkoolike me çmime të lira preferohen më shumë, duke ndikuar në marzhet e fitimeve të kompanive.

Në konsum, tregu dominohet nga pijet alkoolike të huaja

Konsumi i pijeve alkoolike në Shqipëri mbështetet kryesisht në produktet e importuara, ndërkohë që prodhimi vendas po zvogëlohet si pjesë e tregut total, duke treguar një rritje të varësisë nga importet në sektorin e pijeve alkoolike gjatë këtyre viteve.

Sipas të dhënave të Doganave, në periudhën janar-nëntor 2019, prodhimi vendas përbënte rreth 37% të konsumit total të pijeve alkoolike, ndërsa importi ishte 63%. Gjatë viteve, prodhimi vendas ka rënë ndjeshëm, duke arritur në 14% në periudhën janar-nëntor 2025, ndërsa importi është rritur, duke përbërë rreth 86% të konsumit për të njëjtën periudhë.

Sasia e prodhimit vendas ka pasur luhatje, duke rënë ndjeshëm në vitet 2023 dhe 2024, por ka pasur rritje prej 25% në muajt janar-nëntor 2025 krahasuar me të njëjtën periudhë të 2024-s. Ndërkohë, importi i pijeve alkoolike në vlerë absolute është rritur vazhdimisht që nga 2019, duke arritur në mbi 1,9 milionë litra për janar-nëntor 2025, sasia më e lartë e importuar që prej 2019-s.

Prodhuesit vendas pohojnë se një nga arsyet kryesore të humbjes së konkurrueshmërisë është kostoja e lartë e prodhimit, veçanërisht për shkak të akcizës së lartë dhe çmimeve të shtrenjta të materialeve ambalazhuese. Sipas tyre, rritja e akcizës për pijet alkoolike nga 1 janari 2023 vazhdon të ndikojë negativisht prodhimin. Akciza zë rreth 40% të vlerës për një shishe 700 ml.

“Problem për industrinë vijon të jetë kostoja e lartë e prodhimit për shkak të rritjes së detyrimit për akcizën. Konkretisht, nëse një shishe konjak të sasisë 700 ml shitet me çmim 5.6 euro, rreth 2.4 euro është pagesa për akcizën. Nga taksat e larta, kostoja prodhuese vazhdon të jetë e lartë”, nënvizon z. Zhilla.

Me hyrjen në fuqi të ndryshimeve në ligjin “Për akcizat” nga 1 janari 2023 u unifikua edhe akciza e pijeve të forta alkoolike me nivel tarife 84,500 lekë për HL alkool. Para ndryshimeve, akciza ishte 65,000 lekë për Hl për prodhuesit vendas dhe të huaj deri në 20,000 hl/vit. Për fashën prodhuese mbi 20,000 hl/vit, akciza ishte 84,500 lekë për Hl.

Në janar 2023, për shkak të ndryshimit të akcizës, prodhuesit vendas shtrenjtuan çmimet e pijeve alkoolike deri në 20%. Shtrenjtimi i çmimeve solli rënie konsumi, duke detyruar prodhuesit të pakësojnë prodhimin. Për shkak të rënies së kërkesës, sipas Denis Zhillës, drejtues i kantinës së pijeve alkoolike vendase “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, çmimet e shitjes së pijeve alkoolike kanë mbetur të pandryshuara prej vitit 2023. Z. Zhilla thotë se nuk parashikojnë t’i rrisin çmimet e shitjes edhe gjatë 2026-s, pasi rritja e tyre do të ndikonte negativisht te konsumi.

Pse po bie konsumi i pijeve alkoolike në botë

Konsumi i pijeve alkoolike në botë po pëson rënie të ndjeshme, e cila ndikohet nga parimet e reja të jetesës që po ndjekin breza të ndryshëm. Në korrik 2025, revista “Wine Business” publikoi gjetjet e një ankete ku tregohej se konsumatorët e moshës mes 20-40 vjeç po pinin më pak verë se më parë, duke e konsideruar vlerën e marrë më të ulët se çmimin e paguar.

Në shtator të vitit të kaluar, “The Guardian” raportoi se ka ndryshuar qasja e brezave ndaj alkoolit, përfshirë verën, ku Gen Z dhe Millennials rendisin si faktorë kryesorë koston, rreziqet për shëndetin dhe prirjen për t’i zëvendësuar këto me kokteje dhe marijuanë. Revista “Fortune” shkroi se Gjenerata Z po pi 20% më pak se Millennials.

Ndërkohë që këto janë tendencat globale, Shqipëria nuk bën përjashtim. “The Economist” në shkrimin me titull “Verë dhe peizazh” ngre problematikën e zhdukjes së vreshtave në zonat jugore të Francës, për shkak të ndryshimeve klimatike, veçanërisht thatësirës dhe rënies së konsumit te të rinjtë. Brezi Z, sipas një studimi francez, mendon se vera është “e ndërlikuar” dhe kryesisht për “njerëz të moshuar”. Përveç verës së ftohtë rose gjatë verës, të rinjtë preferojnë pijet e forta, birrën ose pije pa alkool. Pothuajse një e katërta e të rriturve francezë nën moshën 25 vjeç nuk konsumojnë alkool fare. Pjesa e francezëve të të gjitha moshave që pinë një gotë verë çdo ditë ka rënë nga 51% në vitin 1980 në 11% sot.

Në mënyrë paradoksale, verërat e lira kanë vuajtur më shumë. “Njerëzit parapëlqejnë të blejnë një shishe të mirë vere sesa të pinë sasi”, thotë një prodhues vere. Sipas “The Economist”, industria po përpiqet të përshtatet me këtë ndryshim konsumi. Prodhuesit e verës po lëvizin drejt segmentit më të shtrenjtë, ose drejt verërave “natyrale”, të prodhuara në mënyrë organike. Disa ish-kultivues të rrushit po orientohen drejt ullinjve, shegëve, fistikëve, piperit dhe kulturave të tjera që i rezistojnë thatësirës.

Megjithëse të rinjtë po pinë më pak dhe ka rritje të ndërgjegjësimit për shëndetin, industria globale e alkoolit vazhdon të zgjerohet. Konsumatorët po ndryshojnë mënyrën e pirjes – po pinë më pak sasi, por me cilësi më të lartë, duke përfshirë birra artizanale, verë natyrale, pije të gatshme dhe versione pa alkool. Tregjet perëndimore po shohin rënie të konsumit, por tregjet në zhvillim, si India, Brazili dhe Afrika e Jugut, po kompensojnë këtë rënie, duke bërë që industria të mbetet e fortë globalisht.

Në një shkrim tjetër, “The Economist” thekson se, edhe pse të rinjtë po pinë më pak, industria globale e alkoolit vazhdon të jetë e fortë dhe në zgjerim. Brezat e rinj po ndryshojnë mënyrën e konsumit, por nuk heqin dorë nga alkooli. Njerëzit po bëjnë “pushime nga alkooli” gjatë gjithë vitit, duke favorizuar pijet pa alkool. Tregjet në zhvillim, përfshirë Indi, Brazil dhe Afrikën e Jugut, po mbajnë industrinë në rritje.

Në SHBA, vetëm 54% e të anketuarve thanë se konsumonin alkool, niveli më i ulët në pothuajse 90 vjet. Megjithatë, industria nuk po tkurret. Shpenzimet për pije alkoolike kanë vazhduar të rriten, dhe njerëzit po zhvendosen drejt pijeve më të shtrenjta, duke treguar një transformim në mënyrën e konsumit. Versionet pa alkool po rriten gjithashtu, me parashikime për rritje të shitjeve globale të birrës pa alkool.

“`

Scroll to Top