Rama akuzon PD për dhunë dhe mercenarë

Protesta e opozitës/ Rama: Mercenarë të organizuar nga një plak i lajthitur

Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestën e fundit të Partisë Demokratike në fillim të podcastit të tij “Flasim”, duke akuzuar opozitën për dhunë dhe organizim të akteve të rrezikshme gjatë protestave.

Rama deklaroi se kishte kohë pa komentuar protestat e opozitës, por reagoi pas përshkallëzimit të dhunës dy javë më parë për të thënë, sipas tij, “diçka të vërtetë”. Ai u shpreh se në Europë ekzistojnë grupe të ndryshme protestuesish, duke filluar nga anarkistë e ekstremistë deri te tifozë huliganë. Megjithatë, sipas tij, ekziston vetëm një parti që e ka dhunën pjesë të programit të saj politik, duke akuzuar në këtë mënyrë Partinë Demokratike.

Kryeministri akuzoi opozitën se organizon sulme ndaj institucioneve, shkatërrim prone dhe mobilizim të grupeve që ai i cilësoi si paramilitare. Ai pretendoi se gjatë protestave janë përdorur mjete të rrezikshme si molotovë dhe bomba artizanale, duke shkaktuar plagosjen e punonjësve të policisë.

“Kisha shumë kohë pa komentuar ndonjë protestë të opozitës. Deri kur dy javë më parë, pas një përshkallëzimi të dhunshëm, bëra një koment për të thënë diçka të vërtetë. Në Europë ka protestues anarkistë, ekstremistë, studentë, etj., tifozë huliganë, grupime të llojeve të ndryshme, që armatosen, djegin, plagosin punonjës policie. Por, që nga koha e partive të 100 viteve më parë në Gjermani dhe Itali, famëkëqijave, të cilat i paraprinë epokës së zymtë të fashizmit dhe nazizmit, ka vetëm një parti në Europë që ka në programin e saj pjesë të pandarë të ekzistencës ushtrimin e dhunës, shkatërrimin e pronës, sulmin ndaj godinave të institucioneve deri ndaj vetë godinës, mobilizimin e paramilitarëve që deri dje ishin çeta e liderit shpirtëror, ndërsa sot janë mercenarë të rekrutuar me lekë nga rrugaçët e lagjeve që dalin me maska dhe presin sinjalin për të mbaruar punën për të cilën janë paguar, duke hedhur molotovë pa u identifikuar nga kamerat.

Mercenarët u shfaqën sërish dhe bënë më shumë dëm, duke kaluar në hedhjen e bombave artizanale të përgatitura nga udhëheqja e të ashtuquajturës Parti Demokratike dhe duke plagosur edhe më shumë punonjës të policisë, deri në shkaktimin e djegieve. Plaku i lajthitur i organizon dhe pastaj fërkon duart kur pamjet e jashtëderdhjeve të tij dalin në mediat e huaja, gjoja çfarë po ndodh në Shqipëri, por është një degjenerim i pandalshëm. Rezultati është rrudhja e mëtejshme e një partie, një force nuk e di çfarë t’i thuash, një aradheje politike që nuk ka asnjë mision, por ka një funksion: të shkarkojë rropullitë e plakut. Vaj medet, pikë e zezë”, u shpreh ai.

Scroll to Top