Donald Trump zgjat sanksionet kundër Venezuelës
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka vendosur të zgjasë për një vit sanksionet kundër Venezuelës, të cilat u vendosën fillimisht në vitin 2015. Ky njoftim është bërë publik përmes një dokumenti të publikuar në faqen zyrtare të Regjistrit Federal.
Këto kufizime, të cilat filluan si përgjigje ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut, u miratuan fillimisht me anë të një urdhri ekzekutiv të nënshkruar nga ish-Presidenti Barack Obama në mars 2015. Gjatë viteve të mëvonshme, sanksionet janë shtuar, forcuar dhe zgjatur në disa raste.
Si arsye për miratimin e këtyre masave kufizuese është theksuar situata në Venezuelë, e cila konsiderohet si një kërcënim për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Presidenti Trump deklaroi: “Prandaj, unë po e zgjas gjendjen e jashtëzakonshme të shpallur me Urdhrin Ekzekutiv Nr. 13692”.
Zgjatja zyrtare e sanksioneve do të publikohet më 20 shkurt. Megjithatë, autoritetet amerikane kanë bërë të ditur se disa operacione të lidhura me sektorin e naftës dhe gazit të Venezuelës janë përjashtuar nga këto sanksione gjatë javëve të fundit.
