Kompensim karburanti për transport publik zgjatet 4 muaj

Transporti publik, kompensimi i karburantit zgjatet edhe me 4 muaj, 50 lekë për litër për operatorët

Operatorët e transportit publik pritet të përfitojnë edhe për katër muaj të tjerë kompensimin prej 50 lekësh për litër për karburantin, për periudhën qershor-shtator.

Dakordësia paraprake për vijimin e kësaj mase është arritur në takimin e dytë të zhvilluar këtë pasdite mes përfaqësuesve të shoqatave të transportit publik, operatorëve dhe ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi.

Në qendër të diskutimeve ka qenë kërkesa e sektorit për zgjatjen e afatit të kompensimit të karburantit, për shkak të rritjes së kostove operative.

Shoqatat e transportit publik kishin kërkuar që kompensimi të rritej në 60 lekë për litër, duke argumentuar se kjo shumë do t’i afrohej rritjes mesatare të çmimit të naftës.

Sipas analizës së çmimeve të blerjes së karburantit, bazuar në faturat e paraqitura nga operatorët, rritja mesatare e çmimit për periudhën qershor-shtator është rreth 54 lekë për litër, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në ditët në vijim, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë pritet të paraqesë projektvendimin për zgjatjen edhe me katër muaj të periudhës së kompensimit.

Pas takimit, kryetari i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas, Kostandin Foni, deklaroi për “Monitor” se diskutimet me përfaqësuesit e sektorit dhe ministrinë ishin pozitive.

Sipas Fonit, zgjatja e kompensimit do t’u krijojë operatorëve mundësinë për të përballuar një pjesë të rritjes së kostove dhe për të garantuar vijimin e shërbimit të transportit publik.

“Masa prej 50 lekësh për litër konsiderohet një mbështetje e rëndësishme për operatorët, duke u dhënë atyre mundësi të përballojnë një pjesë të konsiderueshme të rritjes së kostos së karburantit,” u shpreh Foni.

Ai shtoi se vijimi i kompensimit për katër muajt e ardhshëm synon të mbështesë operatorët dhe të garantojë qëndrueshmërinë e shërbimit.

Sipas tij, nëse çmimet e karburantit vijojnë të rriten, pritet që qeveria të marrë në konsideratë vazhdimin e masave mbështetëse për sektorin.

Scroll to Top