Rreth 167 milionë euro janë transferuar në fondin e veçantë të pensioneve
Ministria e Financave ka njoftuar se të gjitha fondet buxhetore të pashpenzuara nga ministritë dhe institucionet publike gjatë vitit 2025 janë transferuar në Fondin e Veçantë të Pensioneve. Shuma e përgjithshme e përfituar nga ky transferim arrin rreth 167 milionë euro dhe tashmë është depozituar në Llogarinë Speciale të Fondit të Pensioneve pranë Bankës së Shqipërisë.
Ky veprim konsiderohet si një premtim i mbajtur dhe një dëshmi e qartë e angazhimit për përmirësimin e sistemit të pensioneve, duke synuar sigurimin e stabilitetit afatgjatë dhe menaxhimin e përgjegjshëm të financave publike.
Reforma e Pensioneve do të vijojë të zbatohet me vendosmëri, me qëllim krijimin e një sistemi më të drejtë, më të qëndrueshëm dhe më të besueshëm për të gjithë qytetarët.
Ky transferim i fondeve buxhetore është realizuar në zbatim të Aktit Normativ Nr. 11, datë 19.12.2025, dhe në përputhje me kuadrin ligjor për menaxhimin e sistemit buxhetor. Ai përfaqëson një hap konkret drejt forcimit të qëndrueshmërisë financiare të sistemit të pensioneve dhe garantimit të një mbështetjeje më të drejtë dhe më të sigurt për pensionistët.
