Tensionet me Iranin: SHBA forcon praninë ushtarake, Trump jep ultimatum 10-ditor për marrëveshje bërthamore
Shtetet e Bashkuara kanë forcuar ndjeshëm praninë e tyre ushtarake në Lindjen e Mesme, ndërkohë që tensionet me Iranin rriten për shkak të programit bërthamor të këtij të fundit.
Presidenti Donald Trump ka vendosur një afat 10-ditor për arritjen e një marrëveshjeje me Teheranin, duke paralajmëruar për “pasoja shumë serioze” në rast dështimi të negociatave.
Agjencia Reuters raporton se planifikimi ushtarak amerikan është në një fazë të avancuar dhe përfshin opsione për shënjestrimin e individëve specifikë dhe ndryshimin e udhëheqjes iraniane, në rast se Trump do të japë urdhrin.
Nga ana tjetër, Irani po përgatit një kundërpropozim, i cili pritet të dorëzohet brenda 2-3 ditësh për miratim nga zyrtarët e lartë të Teheranit. Bisedime të mëtejshme mund të zhvillohen brenda një jave.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, deklaroi se gjatë takimeve indirekte në Gjenevë me përfaqësuesit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të dyja palët kanë arritur vetëm “parime udhëzuese”, pa një marrëveshje konkrete.
Ai theksoi se veprimet ushtarake do të komplikonin përpjekjet diplomatike.
Bisedimet synojnë të sigurojnë që programi bërthamor iranian të mbetet paqësor, duke aplikuar “masa ndërtimi besimi” në këmbim të heqjes së sanksioneve.
Megjithatë, Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar qëndrimin e saj të prerë, duke theksuar se Irani nuk mund të fitojë armë bërthamore, të ketë kapacitet prodhimi apo të pasurojë uranium.
