“`html
“Rrëzimet” e shpeshta të kompanive ajrore
Kompania ajrore “Air Albania” është dalja më e fundit nga tregu i fluturimeve, duke planifikuar të mbyllë aktivitetin në vitin 2025. Kompania, në të cilën shteti shqiptar zotëronte 10% dhe “Turkish Airlines” 49%, nuk arriti të mbijetojë më shumë se 7 vjet, duke iu bashkuar listës së gjatë të shoqërive ajrore, kryesisht me kapital vendas, që janë tërhequr nga tregu i fluturimeve.
Një vit më parë, ishte radha e “Albawings” që falimentoi, pasi kishte arritur të zinte një peshë tregu deri në 12% në vitin 2020. “Albawings”, një operator me kapital shqiptar, që zuri 5% të tregut në vitin 2023, pati aktivitet vetëm në fillim të vitit 2024, duke e mbyllur vitin me një peshë prej vetëm 0.1%. Kompania kreu disa fluturime vetëm në muajin janar. Të ardhurat e saj, sipas bilancit, ishin 4.6 miliardë lekë (43 milionë euro) në vitin 2023. Sipas “Aviationonline”, “Albawings” ndërpreu operacionet më 12 janar 2024.
“E themeluar në vitin 2015, kompania ajrore u tërhoq nga tregu në një moment kulmor për industrinë e turizmit në Shqipëri. Megjithatë, konkurrenca e ashpër nga zgjerimi i “Wizz Air” dhe “Ryanair”, si dhe krijimi i linjës ajrore shtetërore-private “Air Albania”, e vështirësuan ndjeshëm mbijetesën e “Albawings”, raporton “Aviationonline”. Kompania pohonte në raportet vjetore se po përballej me një mjedis të vështirë dhe konkurrencë të lartë.
“Albawings” i bashkohet listës së kompanive të tjera që kanë pushuar së vepruari, si “Blue Panorama” që u mbyll në vitin 2021. “Blue Panorama”, një operator italian, filloi fluturimet në Shqipëri në vitin 2014. Kompania arriti të zinte deri në 29% të tregut të fluturimeve në vitin 2017, për të zbritur në 18% në 2020, ku sërish mbeti si operatori më i madh. Kompania ndërpreu aktivitetin në vitin 2021 për shkak të vështirësive financiare, si pasojë e pandemisë.
“Fly Ernest”, që në vitin 2019 zotëronte 17% të tregut, është një tjetër emër që është zhdukur nga skena ajrore. Kompania, që prej fillimit të janarit 2020 nuk fluturoi më, pasi licenca e saj u pezullua nga Autoriteti Italian i Aviacionit Civil.
Falimentimi më i madh në vite është ai i “Belle Air”, një shoqëri me kapital vendas. Në nëntor të vitit 2013, kompania “Belle Air”, operatori më i madh ajror në atë kohë, që kishte deri në 52% të tregut të fluturimeve, shpalli falimentin si rrjedhojë e borxheve dhe detyrimeve. Lista e borxheve të kompanisë përfshinte Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, por edhe disa banka. Në pretendimet që do të ngriheshin në Gjykatë në vitin 2013, avokati i kompanisë deklaroi se borxhi ndaj të tretëve ishte rreth 52 milionë euro, ndërsa vlera e aseteve të kompanisë ishte pak më shumë se 60 milionë euro.
Një tjetër emër i humbur në vite është ai i “Albanian Airlines”. Kjo kompani u krijua në fillim të viteve ’90 si kompania kryesore ajrore e Shqipërisë për fluturime ndërkombëtare dhe u ngrit si kompani e përbashkët mes shtetit shqiptar, përfaqësuar në atë kohë nga “Albtransport”, dhe kompanisë austriake “Tyrolean Airways”. Kompania u shit brenda vitit, në 1992-n, te grupi i Kuvajtit, Al Karafi, që ndërtoi dhe hotelin e njohur Mak Albania.
Në nëntor të vitit 2011, qeveria firmosi pezullimin e kompanisë “Albanian Airlines”, e cila dominonte tregun ajror deri në vitin 2005. Autoriteti i Aviacionit Civil (ACC) mori vendimin (që u pasua edhe nga miratimi i qeverisë) që i revokonte certifikatën e operimit ajror kompanisë, duke sjellë bllokimin e operimit dhe anulimin e fluturimeve. Në vitin 2014, kompania iu drejtua zyrtarisht Gjykatës së Falimentit.
Pse ka kaq shumë falimente?
Tregu i fluturimeve në vend gjatë dekadës së fundit është karakterizuar nga luhatje të forta, me periudha rritjeje të shpejtë të ndjekura nga falimentime po aq të shpejta. Kjo nuk është një veçori vetëm e tregut vendas, por pasqyron një tendencë globale. Sipas analizave të IATA (International Air Transport Association) dhe institucioneve kërkimore si CAPA – Centre for Aviation dhe OAG Aviation Worldwide, aviacioni civil konsiderohet një nga sektorët më konkurrues dhe më sfidues në nivel global.
Arsyeja lidhet me një kombinim faktorësh ekonomikë, operativë dhe tregtarë, që shpesh përcaktojnë nëse një kompani ajrore mund të mbijetojë në një treg shumë agresiv. Industria karakterizohet nga kosto shumë të larta operacionale. Karburanti mbetet një nga zërat më të mëdhenj të shpenzimeve dhe është shumë i ndjeshëm ndaj luhatjeve të çmimeve globale të naftës. Në të njëjtën kohë, avionët janë asete shumë të kushtueshme, qoftë për blerje apo leasing, ndërsa mirëmbajtja kërkon investime të vazhdueshme. Edhe burimet njerëzore përbëjnë një kosto të konsiderueshme, pasi pilotët, ekuipazhi i kabinës dhe stafi teknik kërkojnë paga të larta dhe trajnim të vazhdueshëm.
Tregu përballet gjithashtu me konkurrencë shumë të fortë dhe me dominimin e operatorëve të mëdhenj. Linja të mëdha ajrore si “Ryanair”, “Wizz Air” dhe “Lufthansa” kanë kapacitet të ulin çmimet dhe të konsolidojnë pozicionet në shumë tregje. Modeli i transportuesve me kosto të ulët ushtron presion të vazhdueshëm mbi kompanitë tradicionale, pasi biletat më të lira realizohen përmes reduktimit të shërbimeve. Hyrja e operatorëve të rinj shpesh e rrit konkurrencën dhe çon në “luftë çmimesh”, duke ulur marzhet e fitimit për të gjithë sektorin.
Ndikim të fortë kanë edhe zhvillimet ekonomike dhe krizat globale. Recesionet ekonomike ndikojnë drejtpërdrejt në kërkesën për udhëtime, pasi transporti ajror shpesh konsiderohet shpenzim jo thelbësor. Një shembull i qartë ishte pandemia e COVID-19, që ulë ndjeshëm trafikun ajror dhe detyroi shumë kompani të reduktonin aktivitetin ose të ndërprisnin operimet.
Për më tepër, industria operon në një mjedis ndërkombëtar dhe ndikohet nga kursi i këmbimit dhe inflacioni, që rrisin kostot operative. Një rol të rëndësishëm luajnë edhe faktorët e brendshëm, si menaxhimi dhe strategjia e biznesit. Disa kompani zgjerohen shumë shpejt ose hyjnë në tregje jofitimprurëse, duke krijuar humbje të mëdha. Në raste të tjera, mungesa e disiplinës financiare dhe varësia e lartë nga borxhi çojnë në falimentim. Gjithashtu, varësia nga një treg i vetëm ose nga një tip i vetëm flote i bën linjat ajrore më të ekspozuara ndaj krizave të papritura.
“`
