Rruga Vlorë-Himarë çahet pas vetëm 1 viti; rrezikohen jetë

Një vit pas përfundimit të punimeve, çahet rruga që lidh Lumin e Vlorës me Himarën

Një segment rrugor prej rreth 400 metrash në aksin Vlahinë–Poçëm, me gjatësi totale 15 kilometra, është dëmtuar rëndë vetëm një vit pas përfundimit të punimeve të tij. Problemi është evidentuar pranë fshatit Karbonar, ku rruga tashmë paraqet një rrezik serioz për qarkullimin e mjeteve dhe këmbësorëve.

Në terren dallohen qartë shkarjet e tokës, sidomos në zonën pranë lumit Vjosa, çka dyshohet se ka ndikuar drejtpërdrejt në amortizimin e këtij segmenti. Asfalti është dëmtuar pothuajse totalisht, ndërsa në disa pjesë janë krijuar çarje dhe deformime të theksuara.

Situata bëhet edhe më alarmante pasi një banesë, e cila ndodhet në kodër mbi këtë segment rrugor, rrezikon shembjen për shkak të lëvizjes së dheut. Banorët shprehen të shqetësuar dhe thonë se dëmtimet janë përkeqësuar dita-ditës.

Sipas tyre, është e papranueshme që një investim i përfunduar vetëm një vit më parë të degradojë në këtë mënyrë, duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve dhe duke shkaktuar pasiguri për qarkullimin.

Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për stabilizimin e terrenit, ndërtimin e mureve mbajtëse, sistemimin e skarpateve dhe rehabilitimin e plotë të segmentit të dëmtuar, si dhe masa konkrete për mbrojtjen e banesave pranë zonës.

Ndërkohë, deri në marrjen e masave, drejtuesve të mjeteve u këshillohet të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kalimit në këtë aks rrugor.

Scroll to Top