SHBA i vë kushte Iranit: Bisedime apo përshkallëzim ushtarak?

SHBA i vë kushte Iranit për një raund të ri bisedimesh të premten në Gjenevë

Nëse brenda 48 orëve të ardhshme Irani dorëzon një propozim për marrëveshjen bërthamore, Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të zhvillojnë një raund të ri bisedimesh këtë të premte në Gjenevë.

Mediat amerikane raportojnë, duke cituar zyrtarë amerikanë, se administrata në Uashington pret një dokument konkret nga Teherani, i cili do të përcaktojë qartë pozicionin e Iranit mbi programin e tij bërthamor dhe kushtet për një marrëveshje të re.

Këto burime theksojnë se kjo nismë diplomatike mund të jetë mundësia e fundit që presidenti Donald Trump është i gatshëm t’i japë Iranit përpara një përshkallëzimi të mundshëm ushtarak.

Sipas raportimit, nëse nuk arrihet përparim konkret, mbetet në diskutim opsioni i një operacioni të përbashkët ushtarak SHBA–Izrael, i cili mund të synojë drejtpërdrejt strukturat më të larta të regjimit iranian. Në këtë kontekst, përmendet edhe Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, si figurë kyçe në vendimmarrjen strategjike të Teheraniit.

Bisedimet e mundshme në Gjenevë vijnë në një moment tensionsh të larta mes Uashingtonit dhe Teheranit, për shkak të shqetësimeve për avancimin e programit bërthamor iranian dhe frikës për destabilizim të mëtejshëm në Lindjen e Mesme.

Deri tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga autoritetet iraniane mbi kushtet e reja të përmendura në raport. Zhvillimet e 48 orëve të ardhshme pritet të jenë vendimtare për fatin e negociatave dhe për drejtimin që do të marrë përplasja mes dy vendeve.

Scroll to Top