Marrëveshjet Tregtare SHBA-BE/Kinë Mbeten në Fuqi

SHBA: Marrëveshjet tregtare me BE-në dhe Kinën do të mbeten në fuqi

Përfaqësuesi Amerikan i Tregtisë, Jamieson Greer, deklaroi sot se marrëveshjet tregtare të SHBA-së me Bashkimin Evropian, Kinën dhe partnerë të tjerë do të vazhdojnë të zbatohen, pavarësisht vendimit të Gjykatës Supreme amerikane për të shfuqizuar tarifat e ashtuquajtura “hakmarrëse”, të cilat ishin vendosur nga Presidenti Donald Trump.

“Ne jemi duke diskutuar aktivisht me partnerët tregtarë dhe dëshirojmë që ata të kuptojnë se këto marrëveshje janë të dobishme dhe do t’i respektojmë,” tha Greer gjatë një interviste për CBS News. Ai shtoi se partnerët amerikanë presin që marrëveshjet të mbahen.

Duke folur për ABC News, Greer sqaroi se takimi që Presidenti Trump do të zhvillojë në prill me homologun kinez Xi Jinping nuk synon “përballjen mbi çështjen e tregtisë”, por ruajtjen e stabilitetit dhe sigurimin që Kina të blejë produkte amerikane, si ato bujqësore, avionë Boeing dhe lëndë të para të rralla.

Vendimi i Gjykatës së Lartë anuloi pjesërisht tarifat e vendosura nga Trump, duke argumentuar se Kongresi duhet të japë miratimin për përdorimin e fuqive ekzekutive mbi tarifat, në përputhje me ligjin IEEPA të vitit 1977. Menjëherë pas këtij vendimi, Trump nënshkroi një dekret të ri që vendos një tarifë globale prej 10%, e cila më pas u rrit në 15%. Kjo tarifë do të hyjë në fuqi më 24 shkurt dhe do të jetë e vlefshme për 150 ditë, me disa përjashtime.

Greer theksoi gjithashtu se, edhe përkundër vendimit të Gjykatës, Shtëpia e Bardhë disponon mjete për të ruajtur fleksibilitetin në politikën tregtare, të cilat megjithatë nuk ofrojnë të njëjtin nivel fleksibiliteti si Akti IEEPA.

Scroll to Top