Këshilli i Mandateve/ SPAK zbulon mesazhe, individë “të fortë” kërcënuan dëshmitarë për Ballukun
Prokurorët e SPAK i kanë paraqitur Këshillit të Mandateve një informacion të ri dhe të rëndësishëm në lidhje me kërkesën për autorizimin e arrestimit të Belinda Ballukut. Sipas pretendimeve, dy dëshmitarë janë kërcënuar nga persona “të fortë”, të cilët dyshohet se kanë lidhje me krimin e organizuar dhe kanë vepruar në emër të saj.
Një zëdhënës i grupit parlamentar të PD-së ka deklaruar për Lapsi.al se prokurorët e SPAK i kanë informuar deputetët gjatë mbledhjes së Këshillit të Mandateve se disponojnë transkripte bisedash, të cilat janë administruar si prova në dosje. Këto transkripte pasqyrojnë komunikime kërcënuese ndaj dëshmitarëve.
Këto materiale janë prezantuar gjatë seancës së Këshillit të Mandateve si pjesë e argumentimit për ekzistencën e rrezikut të ndikimit në proces dhe të prishjes së provave. Si përgjigje ndaj pyetjeve të kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, prokuroria ka konfirmuar se në datën 20 nëntor 2025, Balluku ka tentuar të intimidojë dy dëshmitarë, duke u kërkuar të ndryshojnë dëshminë e tyre.
“Prokuroria informoi se ka prova se disa persona ‘të fortë’ (duke nënkuptuar elementë të krimit të organizuar) kanë kërcënuar dëshmitarët në emër të zonjës Balluku. Për këtë kanë paraqitur edhe provat në mbledhjen e Këshillit – transkripte të bisedave,” ka thënë zëdhënësi i grupit parlamentar për Lapsi.al.
Ky aspekt është përdorur nga prokurorët për të argumentuar rëndimin e pozitës procedurale të saj dhe ekzistencën e rrezikut konkret që ajo të prishë prova apo të ndikojë në vijimësinë e hetimit. Në mbledhje është sqaruar gjithashtu se as Balluku dhe as avokatët e saj nuk kanë ngritur pretendime për ndikim apo përndjekje politike nga ana e prokurorisë.
Këshilli i Mandateve pritet të shqyrtojë kërkesën e prokurorisë për autorizimin e arrestimit, ndërsa çështja pritet të kalojë për votim në parlament.
