Mungesë Fuqie Punëtore në Bukë: Shoqata Kërkon Mbështetje

Shoqata e Prodhuesve të Bukës i drejtohet Ministres Ibrahimaj: Subvenciononi fuqinë punëtore

Shoqata e Prodhuesve të Bukës, Pastiçerisë dhe Brumërave ka ngritur shqetësimin e mungesës së fuqisë punëtore në një konferencë për shtyp. Sipas tyre, kjo mungesë është veçanërisht e ndjeshme për profesionet e bukëbërësit dhe pastiçierit.

Shoqata ka dërguar një letër drejtuar Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ku thekson se mungesa e specialistëve të bukës ka arritur një situatë alarmante.

Në letër thuhet:

  • “Prej kohësh Kryesia e Shoqatës dhe Administratorët e furrave të bukës janë të shqetësuar nga mungesa e fuqisë punëtore veçanërisht të specialistëve të bukës që tashmë është kthyer në një situatë alarmante. Pra për furrat e bukës nuk ka bukëbërës (Furrxhi).”

Sipas Shoqatës, ky problem është ndikuar nga rënia e numrit të nxënësve në shkollat profesionale, sidomos në degën e teknologjisë ushqimore. Gjithashtu, theksohet edhe mungesa e interesimit të të rinjve për të mësuar zanatin e bukëbërësit.

Për këtë vit shkollor, numri i nxënësve në degën e Teknologjisë Ushqimore ka shënuar një rënie rreth 70% krahasuar me vitin 2018-2019. Për grupin Bukë – Pastiçeri, numri i nxënësve është pothuajse inekzistent.

Shoqata thekson se kjo mungesë përbën një goditje të rëndë për mënyrën artizanale të prodhimit të bukës në Shqipëri, e cila mbështetet te puna e specialistëve.

Për t’iu përgjigjur kësaj situate, Shoqata e Prodhuesve të Bukës, Pastiçerisë dhe Brumërave kërkon ndërhyrjen e qeverisë me disa masa konkrete:

  • Trajtimin e profesionit të “Bukëbërësit” si një zanat në zhdukje, duke e konsideruar atë një aset kombëtar.
  • Marrjen e masave për tërheqjen e të rinjve drejt këtij zanati, duke ofruar bursa studimi, mundësi akomodimi dhe lehtësira të tjera.
  • Subvencionimin e specialitetit “Bukëbërës” (Furrxhi) me pagesa specifike, për të lehtësuar koston e pagave të larta që kërkohen në kushtet e mungesës së fuqisë punëtore.

Në letër, Shoqata gjithashtu thekson traditën e lashtë të popullit shqiptar në përpunimin e drithërave dhe në bërjen e bukës artizanale, duke e cilësuar Shqipërinë si vendin e vetëm në Evropë me këtë lloj prodhimi.

Scroll to Top