Bllokimi i rrugës Librazhd-Përrenjas paralizon tregtinë me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut
Bllokimi i lëvizjes në juglindje të vendit ndikon edhe në pikat kyçe kufitare me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut, me të cilat ekziston një aktivitet tregtar i konsiderueshëm, sidomos me shtetin helen.
Në vitin 2025, me këto dy shtete u realizua një volum tregtar prej 117 miliardë lekësh (të përbërë nga importet dhe eksportet), që përkthehet në rreth 1.2 miliardë euro. Sipas të dhënave të INSTAT, kjo shumë përbën rreth një të dhjetën e volumit të përgjithshëm tregtar në vend (9.5%).
Sipas INSTAT, në vitin 2025, volumi tregtar me Greqinë (duke përfshirë importet dhe eksportet) arriti në 94 miliardë lekë, ose 960 milionë euro, duke zënë 7.6% të totalit të tregtisë. Nga Greqia u importuan mallra me vlerë 70 miliardë lekë.
Greqia renditet partneri i katërt për importet në vend, pas Italisë, Kinës dhe Turqisë, duke zënë 8% të totalit. Produktet kryesore të importuara nga Greqia përfshijnë:
- Lëndë djegëse
- Artikuj veshjesh
- Përgatitje nga zarzavate, fruta, arra
- Plastika dhe artikuj prej saj
- Fruta dhe arra të ngrënshme
Greqia është edhe më e rëndësishme për eksportet shqiptare. Ky shtet fqinj është partneri i tretë për eksportet, pas Italisë dhe Kosovës, me 7% të totalit, ose 24 miliardë lekë. Produkti kryesor i eksportuar janë artikujt e veshjeve, për shkak të industrisë fason në jug të vendit që bashkëpunon me shtetin fqinj, e ndjekur nga përgatitjet nga zarzavatet, frutat dhe arrat.
Interesant është fakti që bilanci tregtar për zarzavate me Greqinë është shumë i ulët, çka tregon se pothuajse sa importojmë, aq edhe eksportojmë.
Maqedonia e Veriut renditet partneri i shtatë për eksportet (pas Italisë, Kosovës, Greqisë, Gjermanisë, Spanjës dhe Kinës). Në vitin 2025, drejt këtij shteti u eksportuan rreth 9 miliardë lekë, ose 2.6% e totalit. Produktet kryesore të eksportuara janë lëndët djegëse, të ndjekura nga zarzavatet.
Nga ana tjetër, importet nga Maqedonia e Veriut ishin 14 miliardë lekë në vitin 2025, ose 1.5% e totalit. Produktet kryesore të importuara janë lëndët djegëse, të ndjekura nga çimentoja.
Për fat të mirë, pjesa më e madhe e tregtisë në vend realizohet përmes transportit detar, kryesisht në Portin e Durrësit, teksa partnerët kryesorë janë vende si Italia, Kina dhe Turqia (ndërkohë që Turqia kryen edhe transport rrugor).