Afati për detyrimet deri më 31 Maj, Taksat Vendore të Tiranës rikujtojnë bizneset për vetëdeklarimin
Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore të Bashkisë së Tiranës u ka rikujtuar bizneseve nevojën për të vetëdeklaruar online çdo ndryshim të dhënash përpara përfundimit të afatit për kryerjen e pagesës së detyrimeve të taksave dhe tarifave vendore.
Afati për kryerjen e pagesës së këstit të parë për taksën e ndërtesës është data 20 Prill, ku paguhet 50% e vlerës së detyrimit. Ndërkohë, afati për pagesën e 50% të mbetur të këtij detyrimi është data 30 Qershor.
Për tarifat dhe taksat që lidhen me aktivitetin e bizneseve, afati për pagesën nuk është 20 Prilli, por 31 Maji, sipas ndryshimeve të miratuara në korrik 2025.
“Afatet kanë rëndësi! Vetëdeklaro çdo ndryshim para afatit final të pagesave të taksave dhe tarifave vendore. 20 Prilli është afati i fundit për këstin e parë për pronat me qëllim tregtar. 31 Maji është afati i fundit për bizneset”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore.
Më herët, Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore kishte njoftuar se në muajin shkurt nis procesi i përllogaritjes së detyrimeve vendore për çdo biznes dhe pronarë që përdorin pasuritë e tyre për qëllime tregtare, përfshirë taksën e ndërtesës dhe tarifat vendore përkatëse.
Drejtoria u kërkoi bizneseve dhe pronarëve të pronave tregtare që, përpara rillogaritjes së detyrimeve, të përditësojnë të dhënat e tyre në rast se gjatë vitit 2025 kanë pasur ndryshime, siç janë xhiroja vjetore, vendndodhja e biznesit apo sipërfaqja e pronës së përdorur për qëllime tregtare. Ky përditësim siguron saktësinë në llogaritjen e detyrimeve.
Procedura për vetëdeklarimin e të dhënave të përditësuara mbetet e njëjtë, duke përdorur formularin e vetëdeklarimit që tashmë është dërguar në profilin e taksapaguesve në portalin e-Albania, te rubrika “Dokumentat e mia”. Plotësimi i këtij formulari mundëson përditësimin e të dhënave reale dhe shmang pasaktësitë në llogaritjen e detyrimeve vendore.
