Shembet sërish segmenti rrugor në fshatrat e Librazhdit, ndalohet lëvizja e kalimtarëve
Segmenti rrugor i bllokuar në zonën e Arrat e Gurrës, në fshatin Dragostunjë të Librazhdit, i cili pritej të hapej sot në mesditë pas ndërhyrjes me by-pass dhe aktivizimit të një rruge dytësore provizore, ka pësuar sërish dëmtime dhe mbetet i pakalueshëm.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njoftoi zyrtarisht se rruga dytësore e hapur për kalim të përkohshëm ka pësuar fundosje dhe rrëshqitje toke, duke dëmtuar punimet e realizuara dhe duke e bërë segmentin aktualisht të pakalueshëm si për mjete, ashtu edhe për këmbësorë.
Në njoftimin e saj, institucioni thekson:
- “Për arsye sigurie janë tërhequr mjetet e firmës zbatuese dhe është ndaluar qarkullimi i mjeteve dhe këmbësorëve.”
- “Strukturat shtetërore do të kryejnë një rivlerësim urgjent gjeologjik dhe teknik, pasi terreni paraqitet i paqëndrueshëm dhe sfidues për ndërhyrje.”
Një ditë më parë, kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, kishte deklaruar se segmenti do të hapej në mesditën e së hënës, pas përfundimit të ndërhyrjeve të përkohshme për devijimin e qarkullimit. Zhvillimet e fundit e shtyjnë sërish rihapjen e aksit, ndërsa pritet rivlerësimi teknik i situatës në terren.
