Vrasja e “El Mencho” zhyt në kaos Kupën e Botës, në rrezik aktiviteti në Meksikë pas reagimit të narkotrafikantëve
Vrasja e narkotrafikantit Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, kreu i një prej karteleve më të mëdha të drogës në Meksikë, CJNG, mund të minojë planet për Kupën e Botës së këtij viti. Në Guadalajara, ku vepronte kryesisht ky kartel, si dhe në zona të tjera të Meksikës, kanë shpërthyer trazirat. Pas vrasjes së “El Mencho” si pasojë e një aksioni ushtarak kundër tij, karteli i ka shpallur luftë të hapur shtetit, duke shkaktuar kaos në vende të ndryshme të vendit.
Ky destabilizim i jashtëzakonshëm në vend, me situatën që ka dalë jashtë kontrollit, si dhe fakti se stadiumet në Meksikë nuk kishin kaluar ende kontrollet e detyrueshme të sigurisë dhe cilësisë nga FIFA, ngrenë dyshime se ky vend mund të humbasë të drejtën e organizimit të ndeshjeve.
Si fillim, disa aktivitete futbollistike kombëtare janë anuluar për javët e ardhshme, duke zhytur në kaos kampionatet vendase. Gjithashtu, është në dyshim zhvillimi i miqësores në mars mes Meksikës dhe Islandës, e cila ishte planifikuar të luhej në Querétaro.
FIFA ndërkohë do të mblidhet me komitetin organizator të Botërorit lidhur me Meksikën, për të shqyrtuar çdo opsion të mundshëm, përfshirë edhe heqjen e ndeshjeve nga ky shtet dhe kalimin e tyre në SHBA ose Kanada, edhe pse kjo do të sillte probleme të tjera organizative.
