UEFA merr vendim drastik ndaj Prestianit për akuzat për racizëm. Dhe është vetëm fillimi…
UEFA ka vendosur që Xhanluka Prestiani të mos marrë pjesë në ndeshjen e kthimit të Ligës së Kampioneve mes Real Madrid dhe Benfikës.
Futbollisti argjentinas u bë protagonist i mesjavës së kaluar kur ndeshja mes dy skuadrave u ndalua pasi Vinicius e akuzoi se e kishte sharë me fjalë raciste.
“Pezullim i përkohshëm i lojtarit të Benfikës, Xhanluka Prestiani. Pas emërimit të një Inspektori Etik dhe Disiplinor (EDI) të UEFA-s për të hetuar akuzat për sjellje diskriminuese gjatë ndeshjes play-off të Ligës së Kampioneve UEFA 2025/2026 midis Benfika dhe Real Madrid më 17 shkurt 2026, dhe me kërkesën e EDI-t përmes një raporti të përkohshëm, Organi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s (CEDB) ka vendosur sot të pezullojë përkohësisht z. Xhanluka Prestiani për ndeshjen e ardhshme (1) në një garë klubesh UEFA për të cilën ai përndryshe do të ishte i kualifikuar, për një shkelje prima facie të Nenit 14 të Rregullores Disiplinore (DR) të UEFA-s në lidhje me sjelljen diskriminuese.
Kjo nuk paragjykon asnjë vendim që organet disiplinore të UEFA-s mund të miratojnë më pas, pas përfundimit të hetimit në vazhdim dhe dorëzimit të tij në organet disiplinore të UEFA-s. Informacione të mëtejshme mbi këtë çështje do të publikohen në kohën e duhur”, shkruhej në njoftimin e UEFA-s.
Kjo do të thotë se pezullimi i tij vlen vetëm për ndeshjen e radhës. Ndërsa në përfundim të hetimit të plotë, mund të ketë masa të tjera më të ashpra ndaj futbollistit nëse vërtetohet se ai ka kryer me të vërtetë sjellje raciste kundrejt Viniciusit.
