Porositë e BE-së për reformën territoriale: Transparencë dhe gjithëpërfshirje
Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, e ka cilësuar si konstruktiv diskutimin e zhvilluar me bashkëkryetarët Arbjan Mazniku dhe Luçiano Boçi të Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale dhe Administrative në Kuvendin e Shqipërisë.
Ambasadori Gonzato theksoi rëndësinë e një reforme gjithëpërfshirëse dhe plotësisht transparente, e cila duhet të mbështetet në të dhëna të sakta dhe një konsensus të gjerë.
Ai nënvizoi se shpejtësia e reformave nuk duhet të kompromentojë cilësinë, dhe rritja e efikasitetit nuk duhet të jetë në dëm të demokracisë vendore.
“Njëkohësisht, është e rëndësishme që funksionet të shoqërohen me financim të mjaftueshëm, në mënyrë që autoritetet vendore të kenë autonomi reale në vendimmarrje, të mbështetur nga kapacitetet e nevojshme. Mbetet thelbësore që reforma të sjellë shërbime më të mira për qytetarët dhe të jetë në përputhje me standardet evropiane”, thuhet në mesazhin e ambasadorit të BE-së në rrjetin social Facebook.
