Berisha: Takim me përfaqësues të 28 partive, temë qendrore ishin zgjedhjet
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas takimit me misionin faktmbledhës të Partisë Popullore Europiane (PPE), deklaroi se tema kryesore e diskutimeve ishin zgjedhjet dhe fenomeni i “narkoshtetit”.
Gjatë një prononcimi për mediat, Berisha theksoi se këto takime zhvillohen sipas rregullit të konfidencialitetit, prandaj ai nuk preferoi të jepte detaje të mëtejshme. Sipas tij, është diskutuar edhe për “asgjësimin e sistemit të drejtësisë”, duke shtuar se zgjedhjet përbëjnë temën qendrore për çdo opozitë.
Berisha u shpreh:
- “Misioni faktmbledhës i Partisë Popullore Europiane. Ju e dini që janë dy rezoluta shumë të fuqishme për Shqipërinë, njëra është miratuar në Maltë në vitin 2024, tjetra është miratuar në prill të vitit 2025, për zgjedhjet në Shqipëri dhe ka qenë kërkesa jonë që të ketë një mision faktmbledhës për të parë në vend të gjitha zhvillimet. U jemi shumë mirënjohës. Kanë ardhur përfaqësues të 28 partive simotra në këtë mision. Për ne është një zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm.”
- “Lidhur me bisedimet dhe të gjitha problematikat, këto takime funksionojnë mbi rregullin e konfidencialitetit, ndaj dhe unë nuk kam ndërmend të bëj publike bisedimet që u zhvilluan. Natyrisht temë qendrore për një opozitë janë zgjedhjet dhe aty u bë një ekspoze. E keni parë ju librin 1500 faqe me mijëra dokumente. U paraqitën gjerësisht. U diskutua për narkoshtetin, por këto që po ndodhin, asgjësimin e sistemit të drejtësisë dhe të gjitha këto. Por unë nuk mund të hyj në detaje dhe nuk kam ndërmend, për arsye sepse është rregulli Chatham House që duhet të zbatohet në këto raste.”
