Rama ndryshon Qeverinë, largohen Balluku, Spiropali dhe Vengu. Albana Koçiu emërohet zv.kryeministre
Në kuadër të një mbledhjeje të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, janë bërë ndryshime në gjashtë ministri. Burime pranë mbledhjes raportojnë se Kryeministri Edi Rama ka njoftuar këto ndryshime qeveritare.
Albana Koçiu është emëruar në postin e zv.kryeministre, duke zëvendësuar Belinda Ballukun. Ferit Hoxha, ish-ambasador i Shqipërisë pranë BE, është emëruar Ministër i Punëve të Jashtme. Besfort Lamallari largohet nga pozicioni i Ministrit të Drejtësisë dhe merr drejtimin e Ministrisë së Brendshme, ndërsa Toni Gogu emërohet në krye të Ministrisë së Drejtësisë. Erjona Ismaili është emëruar ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin. Posti i Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjitikës, më parë mbajtur nga Belinda Balluku, i besohet tani Enea Karakaçit.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar përmes një videomesazhi, duke cilësuar këto lëvizje si një përpjekje të Kryeministrit Rama për të shpëtuar veten. Berisha ka bërë thirrje për vazhdimin e protestave nga qytetarët dhe opozita, duke theksuar se qëllimi kryesor është largimi i Ramës nga pushteti. Ai kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të Kryeministrit, duke e konsideruar përgjegjës për krizën aktuale në vend.
Ndryshimet kanë prekur ministritë e Jashtme, të Drejtësisë, të Brendshme, Marrëdhëniet me Parlamentin, Infrastrukturën dhe Mbrojtjen. Nëntë ministri nuk janë prekur nga ky riorganizim qeveritar:
- Petrit Malaj – Ministria e Financave
- Delina Ibrahimaj – Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit
- Mirela Kumbaro – Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë
- Evis Sala – Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
- Blendi Gonxhe – Ministria e Kultirës dhe Sportit
- Andis Salla – Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
- Adea Pirdeni – Ministre e Shtetit për Administratën publike dhe Antikorrupsionin
- Ervin demo – Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor
- Majlinda Dhuka – Ministre e Shtetit dhe Kryenegociatorja në BE
Këto ndryshime vijnë gjashtë muaj pas miratimit të kabinetit “Rama 4” në Kuvendin e Shqipërisë. Ndryshimet e bëra janë si më poshtë:
- Zv.kryeministër: largohet Belinda Balluku, vjen Albana Koçiu
- Ministria e Jashtme: largohet Elisa Spiropali, vjen Ferit Hoxha
- Ministria e Drejtësisë: largohet Besfort Lamallari, vjen Toni Gogu
- Ministria e Brendshme: largohet Albana Koçiu, vjen Besfort Lamallari
- Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin: largohet Toni Gogu, vjen Erjona Ismaili
- Ministër i Infrastrukturës dhe Energjetikës: largohet Belinda Balluku, vjen Enea Karakaçi
- Ministër i Mbrojtjes: largohet Pirro Vengu, vjen Ermal Nufi
