Vance: Sulmi në Iran nuk do të jetë “luftë e përjetshme”

Të shmangim gabimet e së shkuarës, Vance: Një sulm në Iran nuk do të sillte një tjetër “luftë të përjetshme”

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, deklaroi se një sulm i ri ushtarak amerikan ndaj Iranit nuk do ta tërhiqte vendin në një konflikt tjetër të zgjatur në vende të huaja.

Uashingtoni ka grumbulluar një forcë ushtarake në Lindjen e Mesme, nivel ky që nuk shihej që nga pushtimi i Irakut në vitin 2003. SHBA-të po kërkojnë që Teherani të bëjë lëshime sa i përket programeve të tij të pasurimit të uraniumit dhe raketave balistike.

Në një intervistë dhënë për “Washington Post” të enjten, Vance u shpreh lidhur me shqetësimet për një tjetër ‘luftë të përjetshme’ të zgjatur. “Ideja se do të jemi në një luftë në Lindjen e Mesme për vite me radhë pa fund në horizont – nuk ka asnjë mundësi që kjo të ndodhë,” tha ai, duke u përshkruar si një “skeptik ndaj ndërhyrjeve ushtarake të huaja”.

Megjithatë, Vance paralajmëroi gjithashtu kundër ngurrimit të tepërt për të përdorur forcën ushtarake. “Mendoj se duhet të shmangim përsëritjen e gabimeve të së kaluarës. Gjithashtu mendoj se duhet të shmangim nxjerrjen e mësimeve të tepërta nga e kaluara,” theksoi ai. “Vetëm pse një president ka pasur probleme me një konflikt ushtarak, nuk do të thotë që nuk mund të angazhohemi më kurrë në një konflikt ushtarak.”

Vitin e kaluar, SHBA-të ndërhynë ushtarakisht, duke marrë anën e Izraelit pasi Forcat Mbrojtëse të Izraelit goditën objektiva në Iran. SHBA-të mbrojtën aleatin e tyre nga hakmarrja dhe më pas goditën objektivave të vështira për t’u arritur në tokën iraniane.

Scroll to Top