Sot protesta e opozitës, policia nuk garanton zhvillimin e tubimit
Përfaqësues të Partisë Demokratike të Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës për zhvillimin e një tubimi, i planifikuar për datën 28.02.2026, në orën 18:00, para Kryeministrisë.
Duke marrë shkas nga incidentet e ndodhura gjatë tubimit të mëparshëm, ku u evidentuan akte dhune dhe përdorimi i mjeteve të rrezikshme kundër punonjësve të Policisë, prania e personave të maskuar dhe përfshirja e të miturve në tubim, si dhe nga informacionet e grumbulluara mbi mundësinë e përsëritjes së këtyre veprimeve, Policia e Tiranës i ka komunikuar subjektit politik se nuk merr përsipër garantimin e zhvillimit të tubimit.
Megjithë përgjigjen e dhënë, Policia e Tiranës, në kuadër të përmbushjes së detyrave funksionale, ka marrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në kryeqytet, mbrojtjen e institucioneve shtetërore, si dhe për sigurimin e lëvizjes së lirë të automjeteve dhe qytetarëve, në rast se tubimi do të realizohet.
Policia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve që, në rast se hasin veprime të dhunshme, të distancohen dhe të denoncojnë çdo paligjshmëri që konstatojnë.
