Protesta/ 4 të arrestuar, procedohet deputeti Klevis Balliu

Protesta e opozitës/ 4 të arrestuar, procedohet deputeti Klevis Balliu

Policia e Tiranës ka reaguar lidhur me protestën e organizuar të shtunën nga Partia Demokratike.

Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, pas veprimeve hetimore dhe procedurale, ka arrestuar shtetasit:

  • L. M., 20 vjeç
  • R. D., 33 vjeç
  • D. R., 21 vjeç
  • S. R., 36 vjeç

Ata procedohen për veprat penale të “Goditjeve për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.

Sipas njoftimit, dyshohet se këta shtetas, gjatë protestës, kanë ushtruar akte dhune, kanë kundërshtuar punonjësit e policisë dhe kanë hedhur lëndë piroteknike e molotov drejt tyre, si dhe drejt Vilës 31, ku në atë moment ndodheshin persona të huaj, duke rrezikuar sigurinë e tyre. Si pasojë, janë shkaktuar dëmtime në godinë dhe janë dëmtuar 32 kosha mbeturinash të vendosura nga Bashkia Tiranë.

Si prova materiale janë sekuestruar objekte dhe sende të hedhura (molotovë dhe lëndë piroteknike), të cilat janë dërguar për ekspertim.

Më tej, është proceduar në gjendje të lirë një shtetas i mitur, 16 vjeç, pasi iu gjet me vete municion i dyshuar për armë sportive.

Materialet i janë referuar Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për shtetasin Klevis Balliu, deputet, pasi ka shkelur ligjin nr. 9754, datë 14.06.2007 “Për Përgjegjësinë Penale të Personave Juridikë” dhe për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.

Gjithashtu, janë administruar pamjet filmike të protestës dhe po vijon këqyrja e tyre për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në veprimtari kriminale. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Scroll to Top