Meloni në lidhje me përshkallëzimin në Iran: “Jam sigurisht e shqetësuar, do të ishte marrëzi të supozohej se zhvillimet nuk na prekin”
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, në një intervistë dhënë rrjetit televiziv italian Canale5, ka komentuar zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme pas sulmeve të Iranit.
“Situata më shqetëson, më shqetëson realiteti më i gjerë. Jemi dëshmitarë të një krize të së drejtës ndërkombëtare, e cila është pasojë e pashmangshme e luftës në Ukrainë, ku një anëtar i Këshillit të Sigurimit të OKB-së sulmoi një vend fqinj. Ishte e pashmangshme që kjo të çonte në një periudhë kaosi,” ka theksuar kryeministrja italiane.
“Jam sigurisht e shqetësuar, sepse do të ishte marrëzi të mendohej se zhvillimet aktuale, edhe ato larg kufijve tanë, nuk na prekin. Kjo është arsyeja pse Italia ka bërë përpjekje të mëdha për të arritur një marrëveshje serioze për programin bërthamor të Iranit, sidomos në një kohë kur e drejta ndërkombëtare po tronditet. Nuk mund të lejojmë që regjimi aktual iranian të disponojë raketa me rreze të gjatë veprimi me koka bërthamore. Kjo marrëveshje dështoi, dhe Shtetet e Bashkuara e Izraeli vendosën të sulmonin, pa përfshirë partnerët evropianë,” shtoi Meloni.
Lidhur me qëndrimin e ministrit italian të Mbrojtjes, Crosetto, në Dubai, i cili u kthye dje në Itali, kreu i qeverisë së Romës theksoi se “Ministri Crosetto nuk pushoi kurrë së bëri punën e tij.”
“Jemi në kontakt me vendet e Gjirit dhe me partnerët tanë evropianë. Qëllimi është – natyrisht – të mos zgjerohet kriza. Megjithatë, besoj se asgjë nuk mund të përmirësohet nëse Irani nuk ndalon sulmet e tij kundër vendeve të Gjirit, të cilat janë plotësisht të pajustifikuara,” tha Giorgia Meloni.
Sa i përket rrezikut të sulmeve terroriste, kryeministrja italiane deklaroi se në vendin e saj gatishmëria është në nivelin më të lartë, duke filluar nga shërbimet e sigurisë kombëtare.
