Spiunonin për llogari të Kinës, arrestohen tre persona në Britaninë e Madhe
Tre persona janë arrestuar në Mbretërinë e Bashkuar nën dyshimin se kanë ndihmuar një shërbim inteligjent të huaj, në shkelje të nenit 3 të Aktit të Sigurisë Kombëtare 2023, njoftoi Policia Metropolitane.
Sipas policisë, një 39-vjeçar u arrestua në Londër, ndërsa një 68-vjeçar dhe një 43-vjeçar u ndaluan në Uells. Të tre ndodhen në paraburgim dhe hetimet po vazhdojnë.
Autoritetet bënë të ditur se çështja lidhet me Kinën, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi natyrën e aktivitetit të dyshuar.
Kryetarja e Komandës Kundër Terrorizmit në Londër, Helen Flanagan, deklaroi se vitet e fundit është vërejtur një rritje e ndjeshme e hetimeve që lidhen me sigurinë kombëtare.
“Në vitet e fundit kemi parë një rritje të konsiderueshme të punës sonë në lidhje me sigurinë kombëtare dhe vazhdojmë të punojmë ngushtë me partnerët tanë për ta mbajtur vendin të sigurt dhe për të ndërmarrë veprime kundër aktivitetit keqdashës kur dyshojmë për të. Arrestimet e sotme janë pjesë e një hetimi proaktiv dhe, megjithëse bëhet fjalë për çështje serioze, nuk besojmë se ka një rrezik të menjëhershëm për publikun,” tha ajo.
Policia theksoi se hetimet janë në vazhdim dhe falënderoi publikun për bashkëpunimin.
