Rritja e çmimit të naftës nga lufta? Qeveria monitoron tregun
Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar fillimin e monitorimit të tregut të karburanteve me shumicë dhe me pakicë, duke i kushtuar vëmendje të veçantë çmimeve të benzinës dhe naftës në pikat e shitjes me pakicë.
Autoriteti sqaron se të gjitha ndërmarrjet që operojnë në tregtimin e karburanteve janë aktualisht nën mbikëqyrjen e tij. Në rast se vërehen luhatje të çmimeve që tejkalojnë ndryshimet e dokumentuara në bursat ndërkombëtare, Autoriteti i Konkurrencës do të ndërmarrë masat e nevojshme, në përputhje me ligjin nr. 9121/2003.
Sipas njoftimit zyrtar, çmimet e karburanteve në tregjet ndërkombëtare përditësohen vazhdimisht, duke marrë në konsideratë faktorë si oferta, kërkesa, kostot e përpunimit dhe zhvillime të tjera ekonomike apo gjeopolitike. Pritet që, në përputhje me parimet e konkurrencës së ndershme, luhatjet e çmimeve në tregun vendas të reflektojnë në mënyrë proporcionale ndryshimet e çmimeve ndërkombëtare. Çdo devijim i pajustifikuar, përfshirë rritje të pakordinuara, më të shpejta apo më të theksuara se trendi ndërkombëtar, konsiderohet si një tregues i mundshëm i sjelljeve jo konkurruese.
Autoriteti i Konkurrencës ka theksuar se nuk do të tolerojë luhatje të pajustifikuara të çmimeve, praktika që bien ndesh me dinamikën e tregut ndërkombëtar, si dhe asnjë formë të mundshme koordinimi të çmimeve, abuzimi me pozitën dominuese apo marrëveshje të fshehta mes operatorëve të tregut.
