Qendra e Shqipërisë ia kalon rajoneve të Italisë për përdorimin e makinave elektrike
Qendra e Shqipërisë shquhet në një hartë të publikuar nga Eurostat për peshën e makinave elektrike të pasagjerëve për vitin 2024. Zona qendrore e vendit është e vetmja me ngjyrë jeshile jo vetëm në Ballkan, por edhe në Itali, me përjashtim të rajonit të pasur të Bolzanos.
Sipas të dhënave të Eurostat, në zonën qendrore të Shqipërisë, numri i makinave elektrike ka arritur në 1.53% të totalit të mjeteve, duke qenë më i larti jo vetëm në rajonet e vendeve të Ballkanit, por edhe në disa vende të Europës Lindore. Në veri të vendit, vetëm 0.2% e mjeteve janë elektrike, ndërsa në jug shifra është 0.13%.
Në Itali, vetëm rajoni i Bolzanos shënon 1.8% të mjeteve elektrike, ndërsa rajoni i Toskanës ka një tregues prej 1.01%. Për krahasim, Maqedonia e Veriut ka 0.26% dhe Greqia 0.3%.
Pesha e lartë e mjeteve elektrike në zonën qendrore të Shqipërisë lidhet kryesisht me numrin e shtuar të taksive elektrike të regjistruara vitet e fundit. Sipas Drejtorisë së Transportit dhe Trafikut Rrugor, deri në fund të majit 2025, në Tiranë operonin 2850 mjete të licencuara dhe 130 subjekte juridike. Bazuar në të dhënat e Cens 2023, Tirana ka aktualisht 4.8 taksi për çdo 1,000 banorë, duke e renditur kryeqytetin shqiptar ndër qytetet me numrin më të lartë të taksive për banor në Europë dhe Ballkan.
Përveç taksive, shumë individë po orientohen drejt makinave elektrike për shkak të përfitimeve ekonomike, të lidhura me konsumin më të ulët të energjisë krahasuar me automjetet me karburant.
Megjithatë, Shqipëria mbetet një ndër vendet me numrin më të ulët të mjeteve për 1,000 banorë, me 328 të tilla, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian është 578.
Situata në Europë
Sipas Eurostat, në vitin 2024, pjesa më e madhe e makinave elektrike të pasagjerëve në raport me totalin e makinave të pasagjerëve u regjistrua në rajonet veriore të Bashkimit Europian. Ashtu si në vitin 2023, rajoni Flevoland në Holandë shënoi përqindjen më të lartë, me 22.1%, duke treguar një rritje prej 5.0 pikë përqindjeje krahasuar me vitin paraardhës. Pas tij renditen Stockholm në Suedi (14.4%), Hovedstaden në Danimarkë (13.3%), Prov. Vlaams-Brabant në Belgjikë (12.9%) dhe Midtjylland, gjithashtu në Danimarkë (12.6%). Vetëm katër rajone të tjera të BE-së kanë një pjesë mbi 10%: Sjælland (11.6%), Syddanmark (11.0%) dhe Nordjylland (10.2%) në Danimarkë, si edhe Utrecht në Holandë (10.7%).
Kur analizohen automjetet e përdorimit utilitar (kamionë, traktorë rrugorë dhe automjete speciale, duke përjashtuar rimorkiot dhe gjysmë-rimorkiot), ato rezultojnë të shpërndara më në mënyrë të barabartë në rajonet e Bashkimit Europian. Ndër 15 rajonet e BE-së me peshën më të lartë të automjeteve utilitare në totalin e mjeteve në vitin 2024, kryeson Valle d’Aosta në Itali me 22.0%. Kjo shpjegohet pjesërisht me faktin se rajoni ndodhet në kufi me Zvicrën dhe Francën, duke e bërë atë një korridor të rëndësishëm europian për transportin e mallrave mes dy vendeve. Pas tij renditet Prov. West-Vlaanderen në Belgjikë (20.5%), si dhe Northern and Western në Irlandë dhe Guyane në Francë, të dyja me 20.0%. Lista e 15 rajoneve kryesore përfshin gjithashtu 4 rajone në Finlandë, 3 në Belgjikë, 2 në Spanjë, si dhe 1 rajon në Irlandë dhe Qipron.
Sipas Eurostat, pesha e automjeteve utilitare ndikohet nga disa faktorë, si sistemet rajonale të transportit dhe infrastruktura përkatëse për mënyra të ndryshme të transportit të mallrave, për shembull kapaciteti i autostradave, linjave hekurudhore, porteve dhe aeroporteve. Rol luajnë gjithashtu edhe karakteristikat ekonomike të rajonit, si p.sh. nëse ekonomia rajonale dominohet nga industria prodhuese apo nga sektori i shërbimeve, si dhe nëse rajoni ndodhet përgjatë korridoreve kryesore europiane të transportit të mallrave.
