Pushimet në Bali kthehen në tragjedi: Identifikohet përmes ADN-së 28-vjeçari ukrainas, mbetjet e të cilit u gjetën në det
Rasti i zhdukjes së një 28-vjeçari ukrainas, i cili ndodhej me pushime në Bali, ka marrë një kthesë tragjike. Testet e ADN-së kanë konfirmuar se mbetjet e gjendura në një plazh i përkasin Igor Komarov, i cili ishte shpallur i zhdukur që nga mesi shkurtit.
Policia indoneziane bëri të ditur se identiteti i tij u konfirmua përmes analizave të ADN-së, ndonëse hetuesit kishin pasur dyshime paraprake bazuar në tatuazhet e trupit të viktimës.
Mbetjet e Komarov u zbuluan nga banorë vendas më 26 shkurt, të shpërndara përgjatë bregdetit dhe në grykëderdhjet e disa lumenjve. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Krimit të Policisë së Balit, analiza mjeko-ligjore tregoi se njollat e gjakut të gjetura në një vilë dhe në një automjet përputhen me ADN-në e nënës së viktimës.
Hetuesit dyshojnë se këto prova forcojnë mundësinë që Komarov të jetë transportuar me atë makinë dhe mbajtur në një vilë në zonën Tabanan, përpara se të vritej.
28-vjeçari ishte rrëmbyer më 15 shkurt në Jimbaran, një zonë turistike e frekuentuar shpesh nga vizitorë ukrainas dhe rusë. Igor Komarov është djali i Alexander Petrovsky-t, një biznesmen nga qyteti ukrainas Dnipro, i cili sipas mediave lokale ka ndikim të madh në biznes dhe lidhje të nivelit të lartë politik, si edhe dyshime për lidhje me krimin e organizuar.
Policia ka identifikuar lëvizjet e të dyshuarve përmes kamerave të sigurisë, të cilat tregojnë një makinë dhe dy motoçikleta që lëviznin midis zonave Tabanan dhe Bandung. Deri tani është arrestuar një person, ndërsa gjashtë të huaj të tjerë dyshohen për përfshirje në rrëmbim.
Autoritetet e Balit kanë kërkuar nga Interpol lëshimin e “njoftimeve të kuqe” për kërkim ndërkombëtar. Sipas policisë, katër nga të dyshuarit janë larguar tashmë nga Bali, ndërsa dy të tjerë besohet se ndodhen ende në Indonezi.
I arrestuari ka deklaruar se roli i tij i vetëm ishte marrja me qira e automjetit të përdorur në rrëmbim për 350 dollarë, duke përdorur një pasaportë të falsifikuar.
Komarov ndodhej në Bali me të dashurën e tij, Eva Misalova, një blogere me rreth 200 mijë ndjekës në Instagram. Hetuesit dyshojnë se një foto që ajo publikoi në Ditën e Shën Valentinit mund të ketë zbuluar vendndodhjen e tij për rrëmbyesit.
Ndërkohë, në internet qarkulloi një video ku Komarov shfaqej i plagosur dhe i kërkonte të atit të paguante 10 milionë dollarë për lirimin e tij. Sipas pretendimeve të rrëmbyesve, paratë lidhen me një mashtrim financiar për të cilin ata akuzonin biznesmenin Petrovsky.
