Atentati ndaj ish-prokurorit Ndoja, paraqiten komunikime nga Sky ECC
Seanca gjyqësore ndaj Plarent Dervishaj dhe Julian Meçaj, të akuzuar për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja dhe Aleksandër Lahos (i njohur si Landi Muharremi) në 1 nëntor 2019, pranë mbikalimit të Shkozetit, ka vijuar ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Gjatë seancës u prezantuan disa prova shkresore, përfshirë komunikime të kryera nëpërmjet platformës Sky ECC. Prokurori Adnan Xholi listoi kodet e Sky ECC të përdorura nga grupi i dyshuar për krimin dhe shpjegoi procesin e verifikimit të kodit të Plarent Dervishajt. Sipas prokurorisë, bazuar në disa komunikime, u zbulua se llogaria në fjalë i përkiste të pandehurit Dervishaj.
Në ekranin e GJKKO-së u shfaqën komunikime, fotografi dhe pamje të shkëmbyera mes Dervishajt dhe përdoruesve të tjerë të Sky ECC. Pas leximit të kodeve të Sky ECC, prokurori kërkoi që seanca të vazhdojë me dyer të mbyllura për të lexuar komunikime që përbëjnë sekret hetimor.
Detaje rreth atentatit:
Atentati ndaj ish-prokurorit Ndoja ndodhi më 1 nëntor 2019, pranë mbikalimit të Shkozetit. Si pasojë e sulmit mbeti i vdekur shoferi i ish-prokurorit, Andi Maloku. Arjan Ndoja, bashkë me Aleksandër Laho dhe Andi Maloku, ndodheshin në makinë pas një dreke në zonën e plazhit në Durrës, teksa udhëtonin drejt Tiranës. Në zonën e mbikalimit të Shkozetit, automjeti i tyre u qëllua nga një makinë Benz, dyshohet se nga Redjan Rraja. Të tre pasagjerët mbetën të plagosur, por Andi Maloku, i cili kishte rolin e mbrojtësit të prokurorit Ndoja në atentat, ndërroi jetë në spitalin e Traumës në Tiranë për shkak të plagëve të rënda.
