Dëshmia e autorit të grabitjes: Borxhe dhe nëna e sëmurë

Grabiti pikën e këmbimit valutor, zbardhet dëshmia e Luan Maçit

Dëshmia e Luan Maçit, autorit të dyshuar të grabitjes së një pike këmbimi valutor në Tiranë ditën e djeshme, është zbardhur.

Para policisë, Maçi ka deklaruar se grabitjen kishte planifikuar ta kryente më parë, por e shtyu pas një tentative të mëparshme për grabitje pranë FiBank.

Lidhur me motivet e veprimit të tij, Maçi u shpreh se ishte i detyruar të kryente grabitjen për shkak të detyrimeve të shumta financiare (borxheve) dhe gjendjes së rëndë shëndetësore të nënës së tij.

“Kisha planifikuar që grabitjen ta bëja që më përpara. Por, pas grabitjes me armë të bankës në zonën e ish-Parkut u frikësova dhe mendova ta shtyja planin për më vonë. Isha i detyruar sepse kam shumë borxhe dhe kam nënën sëmurë, në gjendje shumë të rëndë,” ka deklaruar Maçi.

Si ndodhi grabitja?

42-vjeçari, sipas të dhënave, hyri në pikën e këmbimit valutor brenda një qendre tregtare me kapuç në kokë, doreza plastike blu në duar dhe i veshur me tuta të errëta. Menjëherë pasi hyri, ai filloi të godasë me shkelma ndarjen prej xhami ku ndodhej punonjësja. Më pas nxori pistoletën dhe i kërkoi asaj paratë.

Punonjësja, e frikësuar, i ka dhënë kartëmonedhat duke ia kaluar nëpërmjet hapësirës së vogël të banakut. Sipas policisë, autori ka vjedhur rreth 3 milionë lekë.

Gjithashtu, ai ka tentuar të shkelmojë derën pas së cilës ndodhej punonjësja, por pa sukses. Pas marrjes së parave, ai është larguar me nxitim.

Scroll to Top