Fertiliteti në Shqipëri: Si Emigrimi Ndryshoi Statistikat

Emigrimi “përmirëson” statistikat: Ikja e grave të reja rriti artificialisht normën e fertilitetit

Normat e fertilitetit në Europë kanë shënuar një rënie të mëtejshme gjatë vitit 2024, duke arritur në 1.34 lindje për grua. Ky tregues është shumë poshtë nivelit të zëvendësimit prej 2.1 fëmijë për grua në moshë riprodhimi, sipas të dhënave të Eurostat.

Shqipëria, e cila deri në vitin 2022 renditej në fund të Europës me 1.2 fëmijë për grua në moshë riprodhimi, ka përmirësuar pozicionin në renditje pas korrigjimeve të bëra nga censusi. Në vitin 2024, treguesi i fertilitetit në vendin tonë arriti 1.64 fëmijë për grua, duke u pozicionuar në mesin e 5 vendeve Europiane me një tregues më të mirë.

Për këdo që jeton në Shqipëri, kjo shifër e lartë e fertilitetit mund të duket e pabesueshme, duke pasur parasysh rënien e lindjeve, numrin e nxënësve në shkolla dhe mbylljen e kopshteve. Ky fenomen shpjegohet me atë që demografët e quajnë “efekti i pas-Censusit”.

Pas regjistrimit të popullsisë në vitin 2023, u vërtetua se numri i banorëve rezidentë në vend është tkurrur ndjeshëm, kryesisht për shkak të largimit të të rinjve. Kur llogaritet fertiliteti, numri i lindjeve pjesëtohet me numrin e grave në moshë riprodhuese që jetojnë brenda vendit. Meqenëse censusi hoqi nga lista mijëra gra që kanë emigruar, pesha e çdo lindjeje që ndodh sot në Shqipëri rritet automatikisht në letër.

Pra, Shqipëria nuk ka më shumë foshnja, por më pak gra të moshës riprodhuese të mbetura në vend, gjë që e bën koeficientin të duket i përmirësuar. Numri i lindjeve në vendin tonë ka përshpejtuar rënien vitin e fundit. Vitin e kaluar, në të gjithë vendin lindën rreth 21,425 fëmijë, duke shënuar një rënie prej 8.1%.

Sipas Eurostat, vende si Malta dhe Spanja praktikisht kanë ndaluar procesin e zëvendësimit të brezave, pasi kishin normat më të ulëta të fertilitetit në Europë, me 1 fëmijë për grua në moshë riprodhimi.

Është interesante të vërehet se vendet e Ballkanit, si Mali i Zi, Bullgaria, Serbia dhe Shqipëria, kryesojnë listën e fertilitetit edhe për shkak të korrigjimeve që kanë ndodhur me përditësimin e të dhënave pas pandemisë.

Edhe vendet nordike, si Finlanda apo Norvegjia, pavarësisht politikave sociale dhe mbështetjes financiare për çdo fëmijë, po hasin vështirësi në rritjen e dëshirës për të krijuar familje të mëdha.

Nga njëra anë, kjo situatë tregon se familja shqiptare mbetet ende aktive në sjelljen e jetëve të reja, por nga ana tjetër, ky pozicionim vjen si pasojë e emigrimit masiv. Nëse nuk do të kishte ndodhur emigrimi masiv i grave të reja, koeficienti i Shqipërisë do të ishte shumë më i ulët, duke reflektuar krizën reale që po kalon çdo familje shqiptare.

Scroll to Top