Kredia konsumatore u rrit për të pestin vit radhazi në 2025
Huamarrja e shqiptarëve për qëllime konsumi u rrit për të pestin vit radhazi, duke arritur një rekord të ri historik në vitin 2025. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kredia e re konsumatore e dhënë gjatë vitit të kaluar arriti në 56 miliardë lekë, ose rreth 572 milionë euro (llogaritur me kursin mesatar të 2025). Kjo shumë përfshin kreditë konsumatore me këste dhe paradhëniet bankare, si dhe overdraftet e individëve.
Krahasuar me vitin 2024, kredia konsumatore ka shënuar një rritje të konsiderueshme, prej 18.6%. Analizat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia konsumatore ka një natyrë prociklike, pasi mbështet dhe ndjek rritjen e konsumit. Përveç kontributit të turizmit, duket se konsumi privat në ekonomi po mbështetet edhe nga cikli në rritje i kreditimit të konsumatorëve vendas nga sektori bankar.
Gjithashtu, ecuria e mirë e tregut të punës, e karakterizuar nga norma papunësie pranë niveleve më të ulëta historike dhe rritja dyshifrore e pagave, përbëjnë premisa pozitive për të mbështetur rritjen e kredisë konsumatore në ekonomi.
Huadhënia konsumatore është përqendruar në pjesën dërrmuese në monedhën vendase. Rreth 88% e kredisë së re konsumatore të dhënë vitin e kaluar ka qenë në lekë. Rritja e kredisë ka qenë e shpërndarë si në segmentin e mallrave të qëndrueshme, ashtu edhe në atë të mallrave jo të qëndrueshme. Mallrat e qëndrueshme, në përgjithësi, përkufizohen si produkte me jetëgjatësi më të madhe se tre vjet. Kredia konsumatore për këtë qëllim përfshin kryesisht financimin e blerjes së pajisjeve elektronike, elektroshtëpiake, mobiljeve, automjeteve, etj.
Në fund të vitit të kaluar, portofoli total i kredisë konsumatore arriti vlerën e 107.6 miliardë lekëve, ose rreth 1.11 miliardë eurove. Me bazë vjetore, portofoli i kredisë konsumatore është zgjeruar me 22%.
Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, kredia konsumatore në Shqipëri dominohet nga financimet për mallra jo të qëndrueshme, që përbëjnë 57.5% të portofolit total. Kjo pasohet nga kredia për mallra të qëndrueshme me 34%. Pjesa e mbetur, rreth 9%, konsiston në overdrafte të tërhequra nga individët.
Paralelisht me rritjen e kredisë për shtëpi, edhe rritja e kredisë konsumatore po konfirmon ecurinë pozitive të kreditimit të individëve, e mbështetur nga gjendja e mirë e ekonomisë dhe normat relativisht të ulëta të interesit. E gjithë kredia e re për individët vitin e kaluar arriti vlerën prej 126.9 miliardë lekësh, me një rritje prej 19% krahasuar me një vit më parë.
Ndërkohë, kufizimet e vendosura nga Banka e Shqipërisë për kreditë për blerje banesash mund të shtojnë fokusin e bankave drejt produkteve të kredisë konsumatorë.
