Aksident në Berat: 19-vjeçar arrestohet për plagosjen e 42-vjeçarit

Përplasi me makinë 42-vjeçarin që lëvizte me biçikletë, arrestohet i riu në Berat

Policia ka identifikuar dhe arrestuar autorin e dyshuar të një aksidenti rrugor që ndodhi më 8 mars 2026 në aksin “Dimal–Berat”. Në këtë aksident, një automjet përplasi një biçikletë dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes.

Sipas policisë, në pranga është vënë shtetasi me inicialet H. M., 19 vjeç, banues në fshatin Vërtop, Poliçan. Hetimet kanë zbuluar se i riu, duke drejtuar një automjet tip “Fiat”, ka përplasur biçikletën me të cilën lëvizte shtetasi me inicialet R. T., 42 vjeç. Pas aksidentit, ai është larguar nga vendngjarja për të shmangur përgjegjësinë penale.

NJOFTIMI I POLICISE

Me automjetin që drejtonte, përplasi biçikletën me të cilën lëvizte një 42-vjeçar dhe u largua. 19-vjeçari është identifikuar dhe kapur. Automjeti tip “Fiat”, me të cilin 19-vjeçari përplasi biçikletën, është gjendur dhe sekuestruar.

Si rezultat i hetimeve të kryera me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të aksidentit rrugor të ndodhur më datë 08.03.2026, në aksin “Dimal–Berat”, ku biçikleta me të cilën lëvizte shtetasi R. T., 42 vjeç, u përplas me automjet, shërbimet e Policisë Rrugore identifikuan, lokalizuan dhe vunë në pranga autorin e dyshuar të rastit, shtetasin H. M., 19 vjeç, banues në fshatin Vërtop, Poliçan.

19-vjeçari, pasi ka përplasur me automjet biçikletën me të cilën lëvizte shtetasi R. T., është larguar nga vendi i aksidentit me qëllim shmangien e përgjegjësisë penale.

42-vjeçari aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës dhe jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Beratit për veprime të mëtejshme.

Scroll to Top