Kush është Barush Bregu, personi që i shpëtoi policisë në Kiras
Barush, i njohur edhe si Bajram Bregu, është personi që qëlloi me armë zjarri në ajër në Kiras të Shkodrës, teksa policia po e ndiqte atë dhe një person tjetër, i cili është arrestuar.
Barush Bregu është shpallur në kërkim një ditë pas vrasjes së dyfishtë në Shkodër, ngjarje e ndodhur më 8 shtator 2025, ku autori dyshohet të jetë Ragip Gila. Bregu dyshohet të jetë personi që i siguroi armën autorit të vrasjes, e cila rezultoi në vdekjen e Liridon Krajës dhe Armaldo Palin, ndërsa kamerierja e lokalit u plagos aksidentalisht. Shënjestra e atentatit ishte Erogen Bajri.
Barush Bregu është një figurë e njohur për policinë e Shkodrës, me një histori kriminale që përfshin fushën e narkotikëve, por jo vetëm. Ai prej vitesh njihet si një nga personat kryesorë të vrasjeve për llogari të grupit Lici.
Në vitin 2012, ai ndryshoi emrin nga Bajram në Barush. 39-vjeçari dyshohet gjithashtu si autor i ngjarjeve të tjera të rënda kriminale të ndodhura më parë në qarkun Shkodër, si dhe si autor i dyshuar për “trafikim të lëndëve narkotike”.
Më 4 maj 2019, Bregu u arrestua në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, pasi rezultonte i dënuar me 4 vite burg për kultivim bimësh narkotike, vepër e kryer në bashkëpunim në vitin 2016, dhe mbante masën e sigurisë “Arrest në burg” për armëmbajtje pa leje. Gjithashtu, gjatë një aksioni të zhvilluar në shtatorin e vitit 2018, pas vrasjes së Fatbardh Licit, në banesat e fisit Lici u gjet një armë zjarri automatike, mbi të cilën u gjetën gjurmët e gishtërinjve të Bregut.
Bregu u arrestua në vitin 2019 nga një operacion i forcave RENEA, me snajperë të vendosur në lartësitë e pallateve, në banesën ku fshihej. Gjatë këtij operacioni, në pranga ra edhe Bajram Çekorja nga Shkodra, personi që i kishte ofruar Bregut ndihmë për t’u fshehur.
