## Rrogozhina ende pa datë zgjedhjesh: Pse Bashkia mbetet pa kryetar
Një muaj më parë, Gjykata e Apelit të GJKKO-së la në fuqi dënimin me 1 vit burg për Edison Memollën, kryetarin e Bashkisë së Rrogozhinës, për akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim. Vendimi u mor më 9 shkurt të këtij viti. Megjithatë, edhe pse kanë kaluar 30 ditë nga ky vendim i formës së prerë, ende nuk është caktuar data e zhvillimit të zgjedhjeve të reja në Bashkinë e Rrogozhinës.
Ligji për qeverisjen vendore, në nenin 61, parashikon se mandati i kryetarit të bashkisë ndër të tjera përfundon para afatit në rastet kur humbet zotësia juridike për të vepruar me vendim gjykate të formës së prerë, siç ndodhi në rastin e Memollës.
Për rastet e përfundimit të mandatit të kryetarit para afatit, këshilli bashkiak, nëpërmjet prefektit, njofton Këshillin e Ministrave. Më pas, Këshilli i Mandateve ia komunikon presidentit, i cili shpall datën e zgjedhjeve të pjesshme.
Megjithatë, edhe pse vakanca duhej shpallur menjëherë pas vendimit të formës së prerë për dënimin e Memollës, kjo nuk ka ndodhur. Duket se procesi është neglizhuar nga organet qeverisëse. Zgjedhjet e reja duhet të mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më larg se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit të kryebashkiakut. Vakanca duhet të ishte shpallur më parë, por ky proces nuk ka filluar ende dhe arsyeja e zvarritjes së tij mbetet e panjohur.
