Rritja e administratës publike: probleme dhe kosto për qytetarët

INSTAT: Numri i punonjësve në administratën publike arrin në 185.4 mijë

Në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, numri i punonjësve në sektorin shtetëror u rrit duke arritur në 186,581 persona. Numri mesatar për gjithë vitin 2025 ishte 185,386 punonjës.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, krahasuar me vitin 2024, administrata publike u zgjerua me rreth 3,000 punonjës, ose 1.6% më shumë. Ky nivel është më i larti që nga viti 2002.

Në vitin 2002, Shqipëria numëronte mbi 3 milionë banorë dhe shërbente nga rreth 186,000 punonjës publikë. Njëzet e tre vite më vonë, popullsia ka pësuar një rënie prej 22%, duke zbritur në rreth 2.36 milionë banorë. Kjo tkurrje reflekton efektet e emigrimit dhe uljes së lindshmërisë.

Megjithatë, në vend që të ndiqte këtë trend rënës, apo të reflektonte automatizimin e shërbimeve përmes investimeve të konsiderueshme në platforma dixhitale, numri i punonjësve në administratë ka shënuar rritje të shpejtë, veçanërisht pas vitit 2018.

Në vitin 2014, fondet për paga dhe kontribute për punonjësit e shtetit ishin rreth 71.4 miliardë lekë, ndërsa numri i të punësuarve në sektorin publik ishte rreth 163,000 persona. Njëmbëdhjetë vite më vonë, në vitin 2025, administrata publike numëron mbi 185,000 punonjës, dhe shpenzimet buxhetore për personelin janë rritur në rreth 125.7 miliardë lekë.

Periudha nga viti 2024 në 2025 shënoi një zgjerim prej 12.7% të numrit të punonjësve në sektorin shtetëror, ndërsa shpenzimet për ta u rritën me 76%.

Rritja nuk ka qenë vetëm në numrin e punonjësve dhe fondet për paga. Paralelisht, investimet për qeverisjen digjitale janë shtuar me ritme të shpejta në 6 vitet e fundit. Në 2025, financimi për e-qeverisjen u rrit tre herë brenda vitit, duke arritur në 20.1 miliardë lekë (mbi 200 milionë euro), nga rreth 3.3 miliardë lekë në vitin 2019. Në total, janë investuar 48.4 miliardë lekë në 4 vjet, ose gati 500 milionë euro.

Qeveria ka paraqitur digjitalizimin si një nga shtyllat kryesore të modernizimit të administratës dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se shqiptarët e përdorin e-qeverisjen më shumë se mesatarja e Bashkimit Europian, pasi shumë shërbime tashmë mund të merren vetëm online. 78% e qytetarëve shqiptarë ndërvepruan me autoritetet publike në mënyrë online gjatë 12 muajve të mëparshëm, krahasuar me 72% mesataren e BE-së.

Megjithë këto investime, shërbimet publike digjitale kanë shfaqur probleme serioze funksionimi gjatë muajve të fundit. Platforma kryesore e-Albania ka përjetuar ndërprerje të shpeshta, vonesa dhe pamundësi aksesimi, duke krijuar vështirësi reale në marrjen e dokumenteve, kryerjen e procedurave administrative dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore.

Kalimi i shërbimeve online duhet të kishte sjellë një administratë më të vogël, por shifrat tregojnë se për çdo qytetar që largohet nga vendi, barra e administratës mbi ata që mbeten bëhet gjithnjë e më e rëndë. Në vitin 2003, kishte rreth 16 banorë për çdo punonjës shteti, ndërsa në vitin 2025 ky raport pritet të ngushtohet në më pak se 13 banorë për një punonjës. Kjo e kthen sektorin publik në një strukturë të fryrë që nuk i përgjigjet realitetit të ri demografik, as modernizimit të paguar shtrenjtë nga taksapaguesit.

Scroll to Top