Susan Sarandon arrestohet në protestën pranë OKB-së në Nju Jork

Aktorja Susan Sarandon arrestohet në Nju Jork gjatë protestës pranë OKB-së

Aktorja amerikane Susan Sarandon është arrestuar në Nju Jork së bashku me protestues të tjerë gjatë një demonstratë pranë selisë së Kombeve të Bashkuara. Arrestimi ndodhi pak para fjalimit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Protestuesit kryen një protestë ulur në rrugë, duke mbajtur pankarta me slogane kundër mbështetjes ushtarake amerikane për Izraelin dhe duke kërkuar përfundimin e luftës në Gaza.

Në pamjet e publikuara nga Agjencia France-Presse dhe TMZ, Sarandon shihet teksa policia i vendos prangat dhe e largon nga vendi i protestës.

Policia e Nju Jorkut deklaroi se turma ishte urdhëruar të largohej pasi protestuesit kishin bllokuar një kryqëzim. Personat që nuk iu bindën urdhrit u morën në paraburgim. Deri tani nuk është bërë e ditur numri i saktë i personave të arrestuar gjatë protestës.

Arrestimi i Sarandon ndodhi në një kohë kur në Nju Jork janë zhvilluar protesta të shumta në lidhje me luftën në Gaza dhe politikën e SHBA-së ndaj Izraelit, në kuadër të aktiviteteve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Scroll to Top