Komisionerja e BE-së, Marta Kos, përballet me akuza për bashkëpunim me policinë sekrete jugosllave
Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos, është në qendër të akuzave të reja, të cilat pretendojnë se ajo ka bashkëpunuar me policinë sekrete jugosllave gjatë viteve ’80. Këto akuza vijnë pas një pretendimi nga një anëtare e Parlamentit Europian se ka gjetur prova të reja.
Akuzat fillestare u ngritën edhe gjatë seancës së konfirmimit të komisioneres sllovene në Parlamentin Europian në vitin 2024, akuza të cilat Kos i mohoi atëherë. Tani, këto pretendime janë rikthyer në vëmendje në prag të zgjedhjeve të 22 marsit në Slloveni. Më interesante është fakti se këto akuza përkrahen edhe nga partia e vetë presidente së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Eurodeputetja sllovene Romana Tomc, nënkryetare e European People’s Party (EPP) – grupi më i madh politik në Parlamentin Europian – deklaroi të enjten se i ka dërguar një letër Komisionit Europian. Në të, ajo pretendon se posedon prova të reja që vërtetojnë bashkëpunimin e Kos me agjencinë e spiunazhit të Jugosllavisë dhe kërkon hapjen e një hetimi.
Tomc u shpreh për median Politico se Kos nuk ka qenë e sinqertë “kur pretendonte se nuk kishte bashkëpunuar me shërbimin sekret”. Ajo shtoi se “Ne duhet të bëjmë diçka me këtë informacion”.
Një zëdhënës i EPP konfirmoi se “Romana Tomc e ka mbajtur Grupin e EPP të informuar nga afër për zhvillimet më të fundit lidhur me komisioneren Marta Kos. Grupi do ta shqyrtojë çështjen me kujdes.” Ai shtoi gjithashtu: “Për momentin, ne vërejmë se komisionerja Kos nuk i ka mohuar këto zbulime të reja. Tani topi është në fushën e saj.”
Marta Kos nuk iu përgjigj kërkesave të përsëritura të Politico për koment. Megjithatë, një zyrtar i Komisionit Europian deklaroi se Kos “ka kaluar një proces të gjerë dhe të thelluar verifikimi” për t’u bërë komisionere dhe se Parlamenti Europian “e miratoi emërimin e saj në të njëjtin proces si për të gjithë 27 komisionerët”.
Një zyrtar pranë zyrës së komisioneres, i cili foli në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së akuzave, i tha Politico: “Ajo është shumë e vetëdijshme se kundërshtarët politikë do të përdorin këto lloj çështjesh për të fituar pikë në zgjedhjet në Slloveni, por ajo është e përqendruar plotësisht në detyrën e saj si komisionere për zgjerimin.”
Kos pritet të paraqitet të hënën para Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian për të diskutuar politikën e zgjerimit. Pritet që ajo të përballet edhe me pyetje lidhur me këto akuza.
Në Parlamentin Europian në Strasburg, të martën, Tomc prezantoi një libër të autorit slloven Igor Omerza, në të cilin, sipas saj, publikohen dokumente që provojnë bashkëpunimin e Kos me agjencinë e spiunazhit të Jugosllavisë.
Në pyetjet e saj drejtuar Komisionit Europian, eurodeputetja sllovene kërkon të dijë nëse ekzekutivi i BE-së planifikon të hetojë pretendimet ndaj Kos dhe nëse zbulime të tjera mund të ndikojnë në “besueshmërinë” e komisioneres.
Marta Kos më parë deklaroi për eurodeputetët gjatë seancës së saj dëgjimore në vitin 2024: “Unë kurrë nuk kam qenë bashkëpunëtore apo informatore e shërbimit sekret të Jugosllavisë”, duke i cilësuar akuzat si “gënjeshtra” dhe “dezinformim”.
Sllovenia pritet të zhvillojë zgjedhje më vonë gjatë këtij muaji. Në këto zgjedhje përballen koalicioni qeverisës majtas-liberal, ku Kos ka qenë më parë pjesë, dhe Partia Demokratike Sllovene e djathtë, së cilës i përket edhe Tomc. Kjo e fundit aktualisht kryeson në sondazhe.
