Spiropali dhe Xhafaj munguan gjatë votimit për imunitetin e Ballukut; Rama dërgon mesazh për Bashën
Gjatë votimit në Parlament ku mazhoranca socialiste rrëzoi kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, dy deputetë, Fatmir Xhafaj dhe Elisa Spiropali, nuk morën pjesë në votim.
I pyetur nga gazetarët për arsyen e mungesës së tyre, Kryeministri Edi Rama u shpreh se kryetari i Grupit Parlamentar është ai që duhet të kuptojë arsyet e mungesave.
“Nuk merrem me këtë punë, është kryetari i grupit që ka detyrë të dëgjojë dhe të kuptojë arsyet e mungesave”, tha Rama.
Rama më tej shtoi se për rastin e Ballukut, “nuk ka kusht për të ngritur dorën dhe për të arrestuar një person që nuk akuzohet për korrupsion. Parlamenti ka të drejtë të shikojë nëse përmbushen apo jo kushtet. Nuk ka akuzë për korrupsion”.
