Macron: Lufta në Iran nuk do të sjellë për Rusinë heqjen e sanksioneve
Presidenti francez Emmanuel Macron, pas një takimi në Paris me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky, deklaroi se Rusia gabon nëse shpreson që një konflikt i mundshëm në Iran do t’i ofrojë asaj heqjen e masave sanksionuese kundër saj. Ai nënvizoi vendimin e G7 për të mos rishikuar politikën e sanksioneve të tyre ndaj Moskës.
“Rritja e çmimeve të naftës nuk duhet në asnjë mënyrë të çojë në një rishikim të politikës sonë të sanksioneve ndaj Rusisë. Ky është pozicioni i vendosur i G7 dhe është padyshim pozicioni i Francës dhe Evropës,” tha Macron, duke theksuar se kjo qëndron pavarësisht vendimit të SHBA-së për të lehtësuar disa sanksione.
Mediat raportojnë se presidenti ukrainas Zelensky, duke komentuar vendimin e Uashingtonit, ka vënë në dukje se heqja e sanksioneve amerikane do t’i mundësojë Rusisë të kursejë rreth 10 miliardë euro. Ai shtoi se kjo do të vështirësojë përpjekjet për t’i dhënë fund luftës.
