Kosova lehtëson ligjin për të huajt për serbët

Ligji për të huajt: Kosova pranon lehtësira të përkohshme për serbët

Qeveria e Kosovës ka rënë dakord t’u ofrojë leje të përkohshme qëndrimi dhe t’u njohë dokumentet e identifikimit pjesëtarëve të komunitetit serb që nuk janë pajisur me dokumente kosovare, në kuadër të zbatimit të Ligjit për të huaj dhe Ligjit për automjetet, të cilët hyjnë plotësisht në fuqi nga e diela.

Ky zotim i Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti vjen pas një takimi të zhvilluar në Prishtinë, të shtunën në mëngjes, me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen.

Fillimisht, këto dy ligje kishin filluar të zbatoheshin më 15 janar, por vetëm si një fushatë informuese për procedurat dhe rregullat e zbatimit. Ato janë kundërshtuar nga pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, përfaqësuesit e tyre politikë dhe sektorët civilë, të cilët argumentojnë se një gjë e tillë do të ndikojë negativisht në sektorët e shëndetësisë dhe arsimit, që operojnë brenda sistemit serb në zonat me shumicë serbe në Kosovë, raporton REL.

Ligjet do të hyjnë plotësisht në fuqi të dielën dhe kërkojnë që të gjithë personat pa dokumente kosovare të pajisen me leje qëndrimi. Gjithashtu, automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në Kosovë për më shumë se tre muaj ose vetëm me leje të posaçme.

Pas takimit të së shtunës, këto rregulla nuk do të vlejnë për momentin për serbët e Kosovës pa dokumente, pasi ata do të kenë mundësinë të marrin leje të përkohshme qëndrimi prej 12 muajsh, si dhe të përdorin si mjet identifikimi leternjoftimet e lëshuara nga autoritetet serbe.

Duke folur në një konferencë për media së bashku me Sorensenin dhe shefin e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Aivo Orav, Kurti u zotua se Qeveria do të vazhdojë punën për shkrirjen e plotë të sistemeve arsimore dhe shëndetësore serbe në sistemin e vetëm të Kosovës.

Ai shtoi se është rënë dakord të mundësohen leje të përkohshme qëndrimi për punonjësit shëndetësorë dhe ata të arsimit, me qëllim që serbëve lokalë të mos u mungojnë shërbimet bazike, derisa Kosova t’i inkorporojë ato plotësisht brenda sistemit të saj.

“Qeveria do të pajiset nga krerët lokalë me listat e personelit akademik dhe shëndetësor të angazhuar në ofrimin e këtyre shërbimeve. Këto lista do të shërbejnë për lëshimin e lejeve të përkohshme të qëndrimit për qytetarët që aplikojnë pranë Ministrisë së Brendshme të Kosovës”, tha Kurti.

Ai theksoi se e njëjta gjë vlen edhe për studentët serbë që qëndrojnë në Kosovë për studime. Për ta, krerët komunalë do të ofrojnë listën e tyre me detaje mbi fushat e studimeve, për t’u dhënë leje të përkohshme qëndrimi me afat 12-mujor, me mundësi vazhdimi nëse vazhdojnë studimet.

“Në të njëjtën kohë, Ministria e Arsimit, në bashkërendim me Sorensenin dhe me ofruesit e këtyre shërbimeve publike, do të fillojë procedurat e domosdoshme dhe do të përcaktojë afatet për inkorporimin e plotë, duke përfshirë licencimin e institucioneve dhe personelit të angazhuar”, tha Kurti.

Ndërkohë, Sorensen vlerësoi takimin me Kurtin si “të mirë” dhe mirëpriti angazhimin e Kosovës ndaj sundimit të ligjit dhe vendimin e saj të dhjetorit për zbatim gradual të Ligjit për të huajt dhe Ligjit për automjetet, duke mundësuar kështu një fushatë informuese gjithëpërfshirëse dhe të qasshme për personat e prekur.

“E konsideruam si prioritet kyç që Qeveria e Kosovës të sigurojë leje qëndrimi për punëtorët dhe studentët e përfshirë për një periudhë fillestare prej 12 muajsh, me qëllim parandalimin e çdo ndërprerjeje të shërbimeve shëndetësore dhe arsimore”, tha Sorensen.

Ai shtoi se Kosovës iu kërkua të lejojë përdorimin e letërnjoftimeve të lëshuara nga Serbia, jo më vonë se 15 marsi 2026, nga personat që jetojnë në Kosovë, si mjet identifikimi për proceset administrative.

Kurti njoftoi se Qeveria e tij do të hapë një periudhë tremujore për t’u mundësuar qytetarëve serbë të “regjistrojnë faktet”.

“Në këtë periudhë, aplikantëve do t’u lejohet ekskluzivisht përdorimi si mjet identifikimi i letërnjoftimeve të lëshuara nga strukturat [serbe], ndërsa Ministria e Brendshme do të bëjë regjistrimin e këtyre fakteve brenda sistemit qendror të regjistrit civil të Kosovës”, theksoi Kurti.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se zgjidhja e arritur lidhur me zbatimin e plotë të Ligjit për të huajt do të mundësojë funksionimin e pandërprerë dhe normal të institucioneve shëndetësore dhe arsimore serbe.

Në një konferencë për shtyp, ai theksoi se gjatë javëve të fundit është punuar me BE-në për të gjetur një zgjidhje dhe se është shmangur “skenari më i keq i mundshëm i mbylljes së institucioneve serbe në Kosovë”.

Vendimi i së shtunës u mirëprit nga shefja e BE-së, Kaja Kallas, e cila tha se ai “ka krijuar një momentumi i ri për t’i çuar përpara marrëdhëniet mes BE-së dhe Kosovës dhe dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit”.

Kallas theksoi se është e gatshme ta ndërmjetësojë “së shpejti” një takim të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë.

Vendimi u përshëndet gjithashtu nga ambasadorë të huaj në Kosovë, si ai i Gjermanisë, Rainer Rudolph, dhe ai i Francës, Olivier Guerot.

Zbatimi i plotë i ligjeve për të huajt dhe automjetet në Kosovë ishte kritikuar ashpër edhe nga Beogradi, i cili e kishte përshkruar si “masa diskriminuese”.

Scroll to Top