Nga 1 tetori, kodi i autentikimit në e-Albania edhe në Viber dhe WhatsApp
Duke nisur nga data 1 tetor, qytetarët që përdorin portalin e-Albania do të kenë mundësinë të marrin kodin e autentikimit edhe përmes aplikacioneve Viber dhe WhatsApp.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) njoftoi se ky kod do të dërgohet për proceset që kërkojnë autentikim në e-Albania ose nënshkrim elektronik, duke shtuar kështu dy kanale të reja komunikimi për marrjen e tij.
Mesazhet zyrtare të dërguara përmes Viber dhe WhatsApp do të përmbajnë vetëm kodin e nevojshëm për autentikim ose nënshkrim elektronik. Këto mesazhe nuk do të kërkojnë të dhëna personale apo informacione sensitive dhe nuk do t’u kërkojnë përdoruesve të klikojnë në lidhje (linke) apo të kryejnë veprime të tjera.
AKSHI këshillon përdoruesit të tregojnë kujdes ndaj çdo mesazhi që kërkon informacione shtesë apo ndërveprime të tjera dhe të mos e ndajnë kodin e autentikimit me persona të tjerë. Kodi është personal dhe duhet të përdoret vetëm për procesin për të cilin është gjeneruar, pa u ndarë me askënd.
