Harta e Ndotjes: Zbulohen Tre Zonat më Problematike të Tiranës
Një studim i fundit për ndotjen e ajrit në tre bashki të vendit ka nxjerrë Tiranën si më problematiken. Zonat më të ndjeshme për cilësinë e ajrit në kryeqytet janë “Qyteti Studenti”, Rruga e Dibrës dhe zona e Medresesë, ku grimcat e pluhurit dhe dioksidi i karbonit tejkalojnë normat e Bashkimit Europian.
Cilësia e ajrit vijon të mbetet një ndër problemet kryesore mjedisore në vend. Sipas një monitorimi të kryer nga Co-Plan për vitin 2025 në gjashtë bashki: Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Fier dhe Shkodër, kryeqyteti shfaq realitetin më shqetësues.
“Rezultatet e matjeve në Tiranë tregojnë se vlerat e grimcave të imta të pluhurit janë brenda normave të lejuara të BE. Megjithatë, në disa zona të kryeqytetit niveli i ndotjes është më i lartë”, raporton gazetarja Gerta Vasku.
Trafiku i rënduar në çdo orë të ditës ndikon në cilësinë e ajrit te Rruga e Dibrës, Qyteti Studenti dhe zona e Medresesë. Niveli i grimcave të pluhurit brenda kufijve të lejuar rezulton vetëm gjatë muajve të verës, ndërsa në periudhat e tjera të vitit vlerat e tyre priren të rriten ndjeshëm.
Raporti evidenton se parametri më problematik gjatë monitorimit është dioksidi i azotit (NO₂), i cili në disa zona të qytetit rezulton deri në 3 herë mbi normat e përcaktuara nga Bashkimi Europian. Nivelet më të larta të këtij ndotësi u regjistruan në zona si kryqëzimi i Bulevardit me Unazën, zona pranë Maternitetit të Ri, Ali Demi dhe Rruga e Elbasanit.
Po ashtu, edhe niveli i dioksidit të karbonit rezulton problematik në disa zona të caktuara, duke arritur deri në mbi 4 herë mbi normat e rekomanduara.
Edhe në Durrës, matjet për grimcat e pluhurit treguan vlera mbi normat pranë akseve kryesore dhe portit. Në qytetet e tjera, Fier, Korçë, Shkodër dhe Elbasan, ndotja më e lartë paraqitet pranë zonave industriale dhe akseve me më shumë fluks automjetesh.
Të dhënat nga matjet tregojnë se burimet kryesore të ndotjes janë:
- Trafiku rrugor i dendur
- Kantieret e ndërtimit
- Djegia e karburanteve fosile
- Mungesa e hapësirave të gjelbra
