Detaje tronditëse në vrasjen e studentes shqiptare në Itali

**Zbulohet detaji tronditës në vrasjen e studentes shqiptare në Itali: “E godita me grusht në fytyrë, s’e di sa herë”**

24-vjeçari Mark Samson, i akuzuar për vrasjen e ish-së dashurës së tij, 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula, ka rrëfyer në gjyq detaje tronditëse mbi ngjarjen. Pas tre orësh marrje në pyetje, ku herë tentoi të ndryshojë versionin dhe herë të ulë përgjegjësinë, ai ka bërë pranimin e parë për dhunën e ushtruar para vrasjes.

“E godita në fytyrë me grusht, nuk e di sa herë. Bërtiti pak,” ka thënë Samson, duke shtuar se nuk e goditi vetëm për shkak të mesazheve. “Kisha shumë zemërim të mbledhur, nuk di çfarë më ndodhi,” u shpreh ai.

Kjo është hera e parë, pothuajse një vit pas ngjarjes së 26 marsit 2025, që i riu pranon se e kishte goditur me grushte vajzën. Më herët, edhe pse kishte pranuar vrasjen, ai kishte deklaruar se e kishte goditur me bërryl përpara se ta qëllonte me thikë.

Tani, ai ndryshon version dhe shpjegon arsyen: “Kisha lexuar bisedat e saj, u zemërova dhe e godita. Por nuk ishte vetëm për mesazhet. Një pjesë e mavijosjeve në dorë i kam marrë duke e goditur atë. Mbaj mend që bërtiti pak.”

Në sallën e gjyqit, prokurorja i tregoi edhe fotot e fytyrës së dëmtuar të vajzës. Samson rrëfeu se mbrëmjen e asaj dite lidhja kishte marrë fund: “Ajo donte të më linte, por e bëra unë i pari. Ajo më tha: ‘Po ti po më lë mua?’ Por më pas më tha se për të gjithsesi kishte mbaruar.”

Duke shpjeguar çfarë i kaloi në mendje, ai shtoi: “Kisha emocione negative, kisha mbledhur zemërim sepse gjithmonë isha unë që kërkoja falje. Atë mëngjes, në dhomën time, Ilaria më shikonte dhe unë lexova tek ajo një ajër sfide. Dhe nuk kisha parë të gjitha bisedat e saj me një tjetër.”

Para se të fliste për grushtet, babai i 22-vjeçares u largua nga salla i tronditur, i paaftë të dëgjonte si ishte vrarë e bija. Edhe nëna e saj e ndoqi menjëherë për ta mbështetur.

Gjatë dëshmisë, i riu pranoi edhe se kishte gënjyer vazhdimisht vajzën: “Është e vërtetë, i kam treguar shumë gënjeshtra. Nuk ishte e vërtetë që po merrja dy diploma dhe as që kisha mesatare 27. Ajo e kishte zbuluar. Më tha se i kisha thënë gjithmonë të pavërteta dhe më ktheu unazën dhe letrën e fejesës.”

Ai pranoi se pas kësaj marrëdhënia ndryshoi: “Nga ai moment gjithçka ishte ndryshe. Ajo donte më shumë liri, të merrte frymë. Më tha se ishte regjistruar në Tinder.”

Pa e kuptuar ajo, ai i kishte marrë kredencialet e Instagramit, Tinderit dhe emailit. Kur ajo shkoi në shtëpinë e tij më 25 mars 2025, ai kishte një ide të vetme: “Doja që të më thoshte të vërtetën. I thashë një shoku: e mbyt në akuarium nëse nuk ma thotë.”

Ai pranoi edhe se kishte bërë komente vulgare për të, ndërsa i tregonte një shoku bisedat e saj me një tjetër. Megjithatë, mbeten ende shumë pikëpyetje për atë që ndodhi atë natë. Ai ka deklaruar se kishte pasur një marrëdhënie intime me të më 25 mars, por kjo është vënë në dyshim nga prokurorja, pasi pak më parë ata ishin ndarë dhe ai kishte vendosur të flinte në divan, ndërsa ajo kishte shkuar në shtrat.

Ai ka treguar gjithashtu se atë mëngjes i kishte çuar mëngjes në shtrat, duke i dërguar një tabaka me një thikë, mortadelë dhe kafe. Por për mortadelën nuk është gjetur asnjë gjurmë, e as për tabakanë, ndërsa sipas shoqeve, Ilaria nuk hante asgjë në mëngjes. Prania e thikës është e sigurt, pasi ajo rezulton të jetë arma e krimit.

Scroll to Top