Polemikat e Inter-Atalanta, shoqata e gjyqtarëve në Itali pranon gabimin: Duhej të ndërhynte VAR-i
Ndeshja më e nxehtë e fundjavës së kaluar në Serinë A ishte padyshim ajo mes Interit dhe Atalantës, e cila përfundoi me rezultatin 1-1 mes polemikave. Kampionët në fuqi, pretendonin se ishin dëmtuar nga vendimet e gjyqtarit.
Ky pretendim u konfirmua pjesërisht nga Dino Tomasi, një përfaqësues i shoqatës së gjyqtarëve italianë, i cili komentoi momentet e diskutueshme në emisionin “Open VAR” në “DAZN”.
Fillimisht u analizua goli i Atalantës që barazoi rezultatin në 1-1, ku diskutohet prekja e Sulemanit ndaj Dumfries, për të cilën Interi pretendonte faull. Tomasi u shpreh:
“Nuk ka shtyrje, kontakti është në dorë, e cila është vendosur pak dhe nuk ushtron presion. Vlerësohet edhe kontakti më poshtë, por duke parë të gjitha pamjet e mundshme, nuk ka faull. Vendimi në fushë ishte i saktë dhe i analizuar mirë nga VAR-i, gjithçka ishte në rregull.”
Më pas, vëmendja kaloi te kontakti mes Scalvinit dhe Fratezit në zonën e Atalantës, ku Interi kërkoi penallti. Komenti nga salla e VAR-it ishte: “Kontakti është, por është shumë i lehtë”, ndërsa arbitri kryesor, Manganielo, u përgjigj: “Po, e prek lehtësisht.”
Megjithatë, në analizën e saj, shoqata e gjyqtarëve mendon se në këtë rast është bërë gabim.
“Manganielo në fushë thotë se e prek lehtësisht dhe VAR-i mbështet zgjedhjen e tij. Në realitet, Fratezi i paraprin Scalvinit dhe është në pozicion për të luajtur topin, por merr një shkelm dhe kjo duhej të ishte penallti. Ky episod mund të shihej qartë në fushë dhe salla e VAR-it duhet të kishte ndërhyrë për rishikimin e pamjeve nga arbitri kryesor,” tha Tomasi, duke theksuar se për këtë episod, Interi kishte të drejtë.
