Rasti tragjik i 25-vjeçares që kërkoi eutanazinë

Historia tragjike e 25-vjeçares që kërkoi eutanazinë, pasi u përball me dhimbje të shumta fizike dhe psikologjike.

Një histori e rëndë dhe tronditëse vjen nga Spanja, ku 25-vjeçarja Noelia Castillo ka vendosur t’i japë fund jetës së saj përmes eutanazisë, pas viteve të gjata të vuajtjeve fizike dhe psikologjike.

E reja mbeti paraplegjike në vitin 2022, pas një tentative për t’i dhënë fund jetës duke u hedhur nga kati i pestë i një ndërtese. Kjo ngjarje tragjike erdhi si pasojë e një përdhunimi në grup që ajo kishte përjetuar pak kohë më parë. Ngjarja ndodhi ndërsa ajo jetonte në një qendër shtetërore për gra në nevojë.

Noelia, e rritur në një familje me vështirësi dhe pjesërisht në kujdesin e institucioneve, përballej prej vitesh me sfida të shumta. Që pas aksidentit, ajo jetonte me dhimbje të vazhdueshme, çka e shtyu të kërkonte të drejtën për eutanazi – një procedurë e legalizuar në Spanjë që nga viti 2021.

Në korrik 2024, një komitet ekspertësh në Katalonjë miratoi kërkesën e saj, por procesi u pezullua pas një apelimi nga babai i saj. Më pas, Noelia iu drejtua Gjykatës Kushtetuese të Spanjës dhe Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, duke kërkuar njohjen e të drejtës së saj për vetëvendosje.

Në shkurt 2026, Gjykata Kushtetuese spanjolle vendosi në favor të saj, duke argumentuar se nuk kishte shkelje të të drejtave themelore dhe se ajo kishte të drejtë të zgjedhë përfundimin e jetës së saj në mënyrë të asistuar.

Vetëm një ditë para procedurës, në një intervistë për emisionin “Ahora Sonsoles” në Antena 3, Noelia foli hapur për vendimin e saj. Ajo shprehu dëshirën që gjithçka të ishte e thjeshtë dhe dinjitoze, duke zgjedhur të jetë vetëm në momentin e fundit, pasi t’u ketë dhënë lamtumirën familjarëve.

“U thashë atyre se si dua të jetë. Dua të vdes bukur. Gjithmonë kam menduar se doja të vdisja bukur. Do të vesh fustanin tim më të bukur dhe do të rregulloj flokët. Do të jetë diçka e thjeshtë. Dua të iki tani dhe të ndaloj së vuajturi, pikë. Të gjithë dhimbjet që kam vuajtur gjatë gjithë këtyre viteve? Nuk kam dëshirë të bëj asgjë: s’dua të dal, s’dua të ha, asgjë! Gjumi është shumë i vështirë për mua dhe kam dhimbje në shpinë dhe këmbë,” tha 25-vjeçarja, duke theksuar se në momentin e vdekjes ajo dëshiron të jetë vetëm.

Ajo rrëfeu se kishte përjetuar dhimbje të vazhdueshme fizike dhe emocionale, duke theksuar se nuk kishte më dëshirë për të jetuar në kushtet në të cilat ndodhej. Marrëdhëniet familjare ishin gjithashtu të tensionuara, veçanërisht me të atin, i cili kishte kundërshtuar vendimin e saj.

Rasti i Noelia Castillo ka rikthyer debatin mbi eutanazinë dhe të drejtën për të vendosur mbi jetën në Spanjë dhe më gjerë, duke nxjerrë në pah dilemat etike dhe ligjore që shoqërojnë raste të tilla të ndërlikuara.

Scroll to Top