Salianji i përgjigjet Berishës: Pse i trembesh garës?
Ish-deputeti Ervin Salianji ka reaguar pas deklaratës së bërë nga kreu i PD-së, Sali Berisha, gjatë një konference për shtyp. Berisha kishte deklaruar se Salianji ka shkelur statutin dhe për këtë arsye është vetëpërjashtuar nga partia.
Në një postim në rrjetet sociale, Salianji shprehet se ka qenë dhe do të mbetet pjesë e Partisë Demokratike, duke theksuar kontributin dhe sakrificat e tij, madje edhe burgun politik. Ai akuzon Berishën se i trembet garës dhe për këtë arsye, sipas tij, “shpiken romane me ‘vetëpërjashtime'”.
“Unë nuk jam vetëpërjashtuar nga askund. Përkundrazi, kam qenë dhe jam pjesë e Partisë Demokratike, me kontribut, sakrifica deri në burg politik, me përballje reale dhe fitore për demokratët!”, shkruan Salianji.
Ai i drejtohet liderit të PD-së me pyetjen se përse i trembet garës për kryetar të partisë.
“Problemi nuk është kush ‘përjashtohet’, por pse nuk lejohet gara. Sali Berisha apo kushdo tjetër mund të thotë çfarë të dojë për mua, por nuk mund të shmangë pyetjen kryesore: pse i trembet garës?”, thekson Salianji.
Ish-deputeti i PD-së shton se demokratët dhe partnerët kërkojnë rregulla dhe votë, ndërsa pjesa tjetër është propagandë për të mbuluar frikën.
“Unë kërkoj vetëm një gjë: rregulla dhe votë, këtë kërkojnë demokratët, shoqëria dhe partnerët!”, përfundon ai.
Reagimi i Berishës erdhi në përgjigje të një pyetjeje të bërë gjatë konferencës për shtyp, lidhur me një deklaratë të deputetes Jorida Tabaku. Tabaku kishte lënë të nënkuptohej se PD duhet ta lejojë Salianjin të kandidojë për lidershipin e partisë, duke theksuar se gara duhet të jetë e hapur për këdo dhe se në një parti politike, vota është ajo që vendos për ecurinë e anëtarëve.
