Botërori i përket të kaluarës, Shqipëria nis punën për miqësoren më pa vlera në histori
Kombëtarja shqiptare e futbollit ka zbarkuar dje në Spanjë, ku do të luajë këtë të martë ndeshjen miqësore kundër Ukrainës. Kjo miqësore është kërkuar dhe organizuar nga FIFA mes dy skuadrave që humbën gjysmëfinalet e “play-off”-it ndërkombëtar.
Një duel ky që padyshim vjen në momentin më të papërshtatshëm, pas zhgënjimeve për të dy skuadrat. Edhe pse trajneri Silvinjo e ka cilësuar si sfidë të rëndësishme, fakti që ai mund të mos jetë në drejtimin e ekipit pas kësaj ndeshjeje, ul edhe më shumë vlerën e eksperimenteve që mund të bëhen në këtë takim.
FSHF ka bërë të ditur se ekipi ka nisur stërvitjet, duke zhvilluar seancën e parë në qendrën “Parador de El Saler” në Valencia. Raportohet se të 24 futbollistët në dispozicion të Silvinjos janë në gjendje të gatshme, pa probleme fizike.
Nga grupi fillestar prej 26 futbollistësh, pas ndeshjes me Poloninë u larguan mbrojtësi Arlind Ajeti, për shkak dëmtimi, si dhe mesfushori Ylber Ramadani, për arsye familjare.
