Futbollisti shqiptar tregon si u bind nga Milani: “Ishte një moment emocionues”
Ardon Jashari ka dhënë një intervistë për “Il Foglio”, ku ka folur për përshtatjen e tij me Milanin, klubit të cilin iu bashkua gjatë verës. Mesfushori zbuloi detaje mbi transferimin e tij nga Klubi Bryzh.
Ai kujton periudhën pas fitimit të Kupës së Belgjikës me Klubi Bryzh, ku ishte një nga lojtarët kryesorë. Pavarësisht se klubi nuk dëshironte ta shiste, Jashari ishte në kontakt të vazhdueshëm me menaxherin e tij për shkak të interesit të fortë të Milanit.
” Isha me pushime në Ibiza me të dashurën time, duke u çlodhur, kur mora një telefonatë nga një numër italian. Ishte Igli Tare. E kuptova menjëherë se Milani do të bënte gjithçka për të më bindur, dhe kjo më emocionoi shumë,” tregoi Jashari.
Ai shtoi se kishte respekt të madh për Klubi Bryzh dhe dëshironte të gjente një zgjidhje të favorshme për të dyja palët. Megjithatë, theksoi se ishte e vështirë të refuzohej një klub aq i rëndësishëm sa Milani.
Për të përshpejtuar arritjen në Milano, Jashari përmendi punën e drejtuesve. Rreth dhjetë ditë pas telefonatës me Taren, ai mori edhe një telefonatë nga Zlatan Ibrahimoviç, i cili i tregoi për projektin e klubit.
” Isha shumë i emocionuar në telefon, gati sa më dridhej zëri, por njëkohësisht i motivuar dhe i gatshëm për të filluar një sfidë të re,” tha ndër të tjera Jashari, siç raporton Panorama Sport.
