Rritja e çmimit të naftës, Rama jep shpjegime: Ka ndikuar lufta në Iran
Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me Asamblenë e Partisë Socialiste në Njësinë 2 të Tiranës, iu referua rritjes së çmimeve të karburanteve, duke theksuar se lufta në Iran ka qenë një ndër faktorët kryesorë.
Ai përmendi krijimin e Bordit të Transparencës si një reagim të qeverisë, bord i cili kohët e fundit miratoi rritjen e çmimit të naftës në 218 lekë për litër.
“Mësuam që ekonomia nuk është lidhur vetëm me veprimtarinë tonë të brendshme, por edhe me ngjarje të largëta. E kemi kuptuar këtë gjatë pandemisë, me luftën në Ukrainë dhe tani e shohim sërish me ndikimin e luftës në Iran mbi çmimin e naftës,” u shpreh Rama.
Kryeministri shtoi se qeveria nuk rri duarkryq, por vepron për të lehtësuar qytetarët dhe për të mbajtur ekonominë stabile, ashtu siç ka bërë gjatë pandemisë, tërmetit apo luftës në Ukrainë.
Lidhur me çështjen e naftës, Rama njoftoi një ndryshim të madh, duke përmendur futurjen e shtetit në tregun e karburanteve. Ai shpjegoi se kjo do të garantojë rezervat e nevojshme për çdo rast, duke pasur parasysh dinamikat globale.
“Po përgatitemi të hyjmë në treg me një komponent shtetëror dhe të sjellim risi teknologjike. Një nga këto është markimi i naftës, me produktin e parë të kompanisë publike të krijuar me Emiratet e Bashkuara. Ky markim do të bëjë të pamundur shmangien nga detyrimi fiskal, pasi markuesi i vjetër ishte lehtësisht i manipulueshëm. Duke gjurmuar naftën tranzit, që është burim i kontrabandës, do të rrisim të ardhurat në buxhetin e shtetit dhe do të garantojmë cilësinë dhe një çmim të arsyeshëm të naftës,” tha Rama.
